Kryengritësit libianë rihapin ambasadën në Uashington
Diplomati që përfaqëson kryengritësit libianë ka hapur zyrtarisht ambasadën e Libisë në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara.
I dërguari Ali Aujali, i cili ishte ambasador i Gadafit në Uashington deri kur dezertoi nga regjimi në muajin shkurt, ka rihapur misionin në emër të Këshillit Kombëtar të Tranzicionit, i cili nga Shtetet e Bashkuara është njohur si qeveri legjitime e Libisë.
“Për herë të parë në 42 vjet, kjo ambasadë përfaqëson një Libi të lirë. Dua të falënderoj anëtarët e komuniteteve libianë - amerikane, disa prej të cilëve janë këtu, për mbështetjen e kauzës së lirisë në Libi. Ambasada e re, nën kontrollin e Këshillit Kombëtar të Tranzicionit, është e përkushtuar të shërbejë libianët dhe të avancojë thirrjet për liri dhe demokraci në Libi”, tha Aujali.
Ndërkohë, kryengritësit libianë raportohet të kenë vazhduar luftimet me forcat e Gadafit, për marrjen nën kontroll të objekteve të naftës në Zavijah – 50 kilometra larg Tripolit.