Kryengritësit pushtojnë Tripolin, mister fati i Gadafit
Pas një lufte prej gjashtë muajsh, kryengritësit libianë kanë raportuar se kanë marrë nën kontroll pjesën më të madhe të Tripolit.
Rebelët depërtuan në Sheshin e Gjelbër pas përballjes me një kundërshtim të dobët nga forcat qeveritare.
Lideri libian, Muamer Gadafi, është zotuar një ditë më parë se do të qëndrojë deri në fund, ndërsa u ka bërë thirrje fiseve të vijnë në Tripoli, për të shpëtuar qytetin.
Por, fati i tij mbetet mister dhe nuk dihet ku ndodhet, ndërkohë që dy djemtë e tij janë kapur nga rebelët.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, tha se Libia po rrëshqet nga kthetrat e tiranit, ndërsa beteja mes kryengritësve dhe Muamer Gadafit ka arritur një pikë kthese.
Obama tha se e ardhmja e Libisë është në duart e popullit libian dhe se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të përkrahin tranzicionin drejt demokracisë.
Edhe NATO-ja deklaroi se sundimi i Gadafit po shkatërrohet, duke u shprehur e gatshme për të punuar me popullin e Libisë.
