E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pango merr 1 euro në Francë për vajzën e mbërtheckave

Thonë se çudia më e madhe tri ditë zgjat. Ylli Pangos iu deshën tre vjet. Pas një procesi të gjatë gjyqësor në Tiranë, ish-ministrit të Kulturës iu desh të niste luftën kundër një rrjeti televiziv francez që kishte publikuar video-skandalin e tij. Këtë vit, Gjykata Franceze i dha të drejtë Pangos. Vendimi i gjykatës

Shtohet me 1 euro pasuria e Ylli Pangos. Një pagesë që do ti bëhet nga televizioni FRANCE 24, për shkak se ka publikuar në vitin 2009 atë që tashmë njihet si video-skandali Pango. E njëjta video për të cilën televizioni shqiptar Top Channel u dënua me 400 mijë euro. Dy dënime të ndryshme nga dy gjykata të ndryshme, në shtete të ndryshme. Dhe diferenca e këtyre ndryshimeve është plot 399 mijë euro Një shumë e konsiderueshme, që burimin e kanë nga ajo, që në fillim u prezantua si vajza X, ose Vajza e mbërtheckave, deri në zbulimin e identitetit të vërtetë, gazetarja Alkida Budini. Me kamera të fshehta në trup, e infiltruar qëllimisht, ajo kërkonte punë në shtëpinë e Ylli Pangos, ministër Kulture në atë kohë. Videoja u shfaq për herë të parë në televizionin Top Channel dhe më pas u hodh nëpër sajte interneti, që siç duket kanë depërtuar deri në televizionet e huaja.
Padia në Francë
Pas një beteje ligjore 3-vjeçare, gjykata franceze ka vendosur të dëmshpërblejë ish-ministrin e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Shqipërisë, që mbajti këtë post nga viti 2007-2009. Ashtu si edhe në Gjykatën e Tiranës me rastin e Top Channel, prof.dr Pango ka kërkuar gjobitjen e televizionit francez FRANCE 24. Me të njëjtat argumentime si në Tiranë, Pango ka theksuar në gjykatën franceze se publikimi i kësaj videoje ishte dhe është i paligjshëm, për shkak të imazheve private në zyrën dhe shtëpinë e tij. Pasi bën një pasqyrim të gjithë ngjarjes në fjalë, ndër të tjera ish-ministri thotë se kjo video e dëmtoi psikologjikisht, i shkatërroi karrierën dhe e largoi nga miqtë në atë kohë. Me këto fakte dhe të tjera, ish-ministri i kërkoi gjykatës franceze të shkallës së parë qysh në tetor të vitit 2009, që televizioni FRANCE 24 të hiqte këto imazhe nga sajti i tij, si dhe të mos e shfaqte më asnjëherë në televizion. Gjykata franceze i dha të drejtë Pangos, por TV FRANCE 24 e ankimoi në Gjykatën e Lartë një vit pas fillimit të procesit të parë. Televizioni francez u mbrojt duke argumentuar se nuk ka pasur shkelje të privatësisë. Si politikan, z.Pango përbën kuriozitet për publikun dhe faktet e paraqitura në televizion janë të lidhura me funksionin e tij si titullar. Videoja ofron ndihmë dhe pasqyron gjendjen reale të grave në Shqipëri, në kërkim të një pune. Gjyqi mes palëve vijoi dhe për një vit, derisa në shkurt Gjykata e Lartë i dha të drejtë ish-ministrit Pango, duke i vënë disa gjoba televizionit francez. Po ashtu, ngarkoi edhe shoqërinë anonime FRANCE 24 që të dëmshpërblejë atë me shumën e kërkuar nga vetë ai, vetëm 1 euro. Më poshtë, po botojmë vendimin e kësaj gjykate që në total është disa fletë, në dy pjesët më të rëndësishme të saj: argumentimet pse u mor vendimi në favor të Pangos dhe vendimi final.
Argumentimi mbi paragjykimet


Gjykata argumenton: I vetmi konstatim që kishte të bënte me respektimin e jetës private dhe të imazhit nëpërmjet shtypit i jep të drejtën që të kërkojë dëmshpërblim, ndërsa shuma është e përcaktuar nga gjykatësi në lidhje me përmbajtjen e publikimit, përhapjes së tij të Francë dhe nëse paraqitet nevoja e elementëve që u diskutuan nga palët. Është e udhës që të saktësohet se ky juridiksion nuk është kompetent nga ana territoriale për të dëmshpërblyer lidhur me paragjykimet morale që ka pësuar ankuesi, i cili jeton jashtë Francës. Meqë bëhet fjalë për dëmtim të imazhit dhe të jetës private, nuk është me vend që të merren në konsideratë përhapja e videos që ka të bëjë me nderin dhe reputacionin e ankuesit. Ky i fundit mund të dëmshpërblehet vetëm për shqetësimin që i ka shkaktuar videoja në misionet e tij në Francë apo në takimet me francezët. Kjo video kishte të bënte me thënie apo propozim seksual. Imazhet e shtëpisë janë të shkurtra, tregohen vetëm dera dhe muret. Veshja se si ai shfaqet është jokorrekte për një njeri politik. Për Ylli Pangon përhapja e numrit të tij të telefonit nuk është një problem. Ai justifikohet duke thënë se ka një paragjykim principesh që mund të dëmshpërblehen nga shoqëria France 24, që ti paguajë atij 1 euro, por dhe ky televizion nuk duhet të përdorë më këtë video. Kërkesa për tërheqjen e videos nga faqja e internetit të kësaj shoqërie është e pabazuar, pasi nuk është hedhur poshtë fakti se kjo shoqëri ka bërë heqjen e videos, fill pasi ka marrë kërkesën për heqjen. Nuk është me vend kërkesa për të hequr dhe komentet që shoqërojnë këtë video. Këto komente kanë shërbyer si shembull për dorëheqjen e ankimuesit, e cila u bë publikisht, për të trajtuar rolin e gruas në Shqipëri, një temë aktuale e mbrojtur nga liria e shtypit.
Vendimi i Gjykatës


Gjykata ka vendosur të mos marrë parasysh kërkesën për prishjen e vendimit të kërkuar nga shoqëria anonime FRANCE 24 dhe dënon këtë shoqëri ti paguajë 1 euro Ylli Pangos për dëmtim të imazhit moral.
E pengon shoqërinë anonime France 24 të publikojë videon në çdo lloj mënyre. Dhe të paguajë 1000 euro gjobë për shkelje të ligjit, kur në video shfaqet Ylli Pango duke folur me Alkida Budinin, gazetare e televizionit shqiptar në zyrën e tij dhe në shtëpinë e tij. Kjo shoqëri është e detyruar ta paguajë këtë gjobë. Sipas vendimit dënohet shoqëria anonime të paguajë shpenzimet e gjyqit, po kështu kjo shoqëri do ti paguajë 2000 euro Ylli Pangos në bazë të nenit 700 të Kodit të Procedurës Civile. Ky vendim të ekzekutohet menjëherë./panorama/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›