Zguri: Politizimi i KQZ-së? ODIHR nuk e ka me ne, por me anëtarët e opozitës
Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri, e konsideroi dje si të objektiv raportin final të OSBE/ODIHR-it, i cili argumentonte në detaje vendimet e marra nga ky institucion zgjedhor.
Sipas Zgurit, kur ky raport fliste për politizimin e KQZ-së, e kishte fjalën për rastet kur dy nga anëtarët e këtij komisioni të propozuar nga opozita, braktisnin mbledhjet me urdhër politik.
ODIHR ka konstatuar se tek anëtarët e KQZ-së ka ekzistuar një ndarje. Partitë politike kanë pasur të drejtën për propozime të anëtarëve të tyre në KQZ. Nga ana tjetër, shpesh komisioni braktisej për shkak të urdhrave politikë që jepnin drejtuesit e partive politike, deklaroi Zguri, duke iu referuar këtu rasteve të bojkotimit të komisionit nga ana e nënkryetares së KQZ-së, Dëshira Subashi, dhe anëtari Artan Laze.
Nga ana tjetër, Zguri deklaroi se raporti me vërtetësi thekonte gjendjen e vështirë në të cilën detyrohej të punonte KQZ-ja si rezultat i presionit të jashtëm që bëhej nga partitë politike. Vetë raporti i ODIHR-it thekson se KQZ-ja është vënë në vështirësi gjatë punës së saj.
Ai nuk ka asnjë fjalë brenda tij ku KQZ të akuzohet për shkelje. Vetë klima politike në kohën e zgjedhjeve, nuk ka qenë aspak bashkëpunuese, deklaroi Zguri, duke lënë të kuptohej se ishin forcat e opozitës ato që kishin ushtuar një presion transparent ndaj këtij institucioni.
Nga ana tjetër, anëtari i KQZ-së deklaroi se është shumë e rëndësishme që raporti i vlerëson zgjedhjet lokale të 8 Majit si kompetitive dhe transparente, duke theksuar se në këtë proces një rol të rëndësishëm ka edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Zguri nuk harroi të theksonte se procedurat e KQZ-së ishin transparente dhe brenda ligjeve të vendit. Në këtë kuadër, ai thekson se është Kushtetuta ajo që thekson se votat e qytetarëve duhet të numërohen.
Kushtetuta urdhëron leximin e votave të qytetarëve. Po kështu ishte ligji ai që thekson se cilat vota duhet të konsiderohen si të pavlefshme. Votat në kutitë e gabuara janë të vlefshme në bazë të ligjit. KQZ-ja u detyrua të bënte edhe rolin e KZAZ-së për Tiranën, vetëm për të zbatuar ligjin, ishin deklaratat e Zgurit.
Nga ana tjetër, ai theksoi edhe nevojën e ndryshimeve të Kodit Zgjedhor, me qëllim që disa procedura të këtij institucioni të përmirësohen dhe puna të jetë më e lehtë për zgjedhjet e ardhshme në vend./Shqip/