Kryente manovra të rrezikshme në Velipojë, ndëshkohet drejtuesi i jet ski

Shërbimet e Policisë Detare dhe Kufitare kanë ndëshkuar një drejtues mjeti të tipit xhet ski, i cili po kryente manovra të rrezikshme brenda perimetrit të sigurisë në plazhin e Velipojës.
Pas kësaj ngjarjeje ministri i Brendshëm Taulant Balla ka kërkuar nga njësit policore rritjen e angazhimin në funksion të sigurisë së pushuesve në gjithë vendin.
Duke marrë shkas nga zhvillimet e fundit në Velipojë ku një person nget një xhet ski brenda perimetrit të sigurisë dhe shumë pranë pushuesve që notojnë në breg, ministri i Brendëshm Taulant Balla ka kërkuar nga njësit e policisë kufitare , detare dhe të gjitha shërbimet e tjera të rendit që patrullojnë nga toka përgjatë vijës bregdetare të rrisin angazhimin në funksion të sigurisë së qytetarëve.
Gjithashtu Balla ka kërkuar nga njësitë policore rritjen e vigjilencës edhe më shumë dhe një koordinim më të mirë mes shërbimeve të angazhuara, me qëllim që të parandalohen në kohë rastet që cenojnë seriozisht jetën e pushuesve.
Policia Kufitare dhe detare e qytetit të Shkodrës, në bashkëpunim me Stacionin e Policisë Velipojë, gjatë patrullimeve në vijën bregdetare, nisur nga njoftimet e patrullave policore, për një mjet lundrues xhet Ski i cili kryente manovra të rrezikshme në plazhin e Velipojës, kanë ndërhyrë menjëherë për të bërë bllokimin e tij. Drejtuesi i mjetit lundrues, pasi konstatoi shërbimet e Policisë Kufitare, mbylli mjetin lundrues dhe u largua.
Pas verifikimeve të kryera, bazuar edhe në filmimet e publikuara në rrjetet sociale, Shërbimet e Policisë Kufitare kanë identifikuar dhe ndëshkuar drejtuesin e mjetit, me masë administrative 100,000 lekë të rinj, si dhe kanë bllokuar mjetin lundrues.
Policia Kufitare apelon për të gjithë përdoruesit e mjeteve lundruese që të respektojnë me rigorozitet perimetrin e sigurisë ujore për plazhistët, të zbatojnë rregullat për përdorimin e mjeteve lundruese dhe të respektojnë zonat e përcaktuara për lundrim me këto mjete.
Gazetar: Hajdri Muhedini
/rtsh.al/