Kryente mashtrim online me pako të rreme përmes postës/ Prokuroria e Tiranës dërgon në gjyq shtetasin nigerian

Prokuroria e Tiranës, ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq shtetasin nigerian me inicialet L.O., i akuzuar për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”, parashikuar nga neni 143/b/1 i Kodit Penal.
Hetimi nisi pas kallëzimit të bërë nga një shtetase shqiptare, e cila punonte si operatore në një call center që merret me shitjen e energjisë elektrike dhe gazit. Ajo deklaroi se kishte nisur komunikimin në rrjetet sociale me një person që pretendonte se ishte me kombësi italiane, por që nuk dinte të komunikonte në gjuhën italiane.
Sipas hetimeve, pas bisedave në Instagram dhe më pas në WhatsApp, personi i kërkoi viktimës të kryente një pagesë me pretendimin se do të merrte një pako surprizë, pasi ai vetë nuk mund ta kryente procedurën. Më pas, për të siguruar të dhënat bankare të saj, pagesa u kërkua të bëhej përmes të dhënave të një marrësi tjetër, duke i shkaktuar asaj një humbje të konsiderueshme financiare.
Edhe pasi pakoja e premtuar nuk mbërriti, viktimës iu kërkuan sërish para me justifikimin se ajo do të dorëzohej pas një pagese tjetër.
Pas veprimeve hetimore të kryera nga Prokuroria e Tiranës dhe pas marrjes së letërporosisë nga autoritetet italiane, u bë i mundur identifikimi i poseduesit të llogarisë PostePay Evolution, shtetasin nigerian L.O., me banim në Itali.
Sipas organit të akuzës, ai dyshohet se ka përdorur skema mashtrimi online për përfitime të paligjshme financiare dhe tashmë do të përballet me gjykatën për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”.
Prokuroria e Tiranës u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes gjatë komunikimeve online dhe të mos japin të dhëna personale, kredenciale bankare apo informacione sensitive, pasi rastet e mashtrimeve përmes rrjeteve sociale janë në rritje.
/rtsh.al/