Kryeparlamentari i Kosovës Krasniqi pret Kryetarin e PS-së Rama

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, ka pritur sot kryetarin e Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama, i cili shoqërohej nga anëtarët e kryesisë së kësaj partie, Pandeli Majko dhe Shpëtim Idrizi, njëherësh deputetë të Kuvendit të Shqipërisë. Pasi kanë këmbyer urimet për 28 Nëntorin, festën e shumëfishtë kombëtare, që i lidh shqiptarët kudo që janë dhe kanë shprehur kënaqësinë që për këtë festë të madhe janë së bashku, Krasniqi dhe Rama kanë biseduar për zhvillimet në Kosovë dhe në Shqipëri, sidomos për sa i përket kontekstit ndërkombëtar që i parapriu vendimit për shtrirjen e EULEX-it në gjithë territorin e Kosovës. Ata kanë folur edhe për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në shumë lumenj të jetës, që është interes i përbashkët i qytetarëve të dy vendeve tona.