Bush përshëndet marrëveshjen me Irakun

Presidenti amerikan, George Bush, ka përshëndetur miratimin në Parlamentin e Irakut, të Marrëveshjes, sipas së cilës, trupat amerikane në Irak duhet të tërhiqen aty kah fundi i vitit 2011. Në një deklaratë me shkrim, të publikuar nga Shtëpia e Bardhë, presidenti Bush tha se miratimi i djeshëm "afirmon rritjen e demokracisë në Irak dhe aftësinë në rritje për ta siguruar vetveten". Presidenti Bush vlerësoi se marrëveshja paraqet "bazë për marrëdhënie të dyanshme afatgjata", ndërmjet Irakut dhe Shteteve të Bashkuara.