E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Kryeparlamentari kanadez në Shqipëri: 35 mijë shqiptarë në Kanada! Nikolla: Rrisim bashkëpunimin

Kryetari i Parlamentit të Kanadasë, Antony Rota, ndodhet në një vizitë zyrtare në vendin tonë në kuadër të 35 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve mes dy vendeve.

Kryetarja e parlamentit të vendit tonë Lindita Nikolla dhe homologu i saj kanadez Antony Rota janë takuar këtë të mërkurë (12 tetor), ku dhe zhvilluan një konferencë për shtyp.

Në konferencën e përbashkët për shtyp kryeparlamentarja Lindita Nikolla vlerësoi Kanadanë për mbështetjen ndaj Shqipërisë për sulmet kibernetike të Iranit dhe njohjen e pensioneve, ndërsa theksoi rritjen e bashkëpunimit në sektorë strategjikë.

“Kanadaja ka dënuar me forcë sulmet kibernetike të Shqipërisë dhe është bashkuar me ne dhe aleatët tanë për t’ia atribuuar këtë aktivitet Iranit. Diskutuam të rrisim kompanitë kanadeze në Shqipëri në sektorët si energjia, miniera, menaxhim i ujërave, turizmi, bujqësi, infrastrukturë e inovacion. Diskutuam mbi nevojën për të aktivizuar fondin kanadez për nismat vendore dhe të drejtat e fuqizimin e grave, si dhe barazinë gjinore. Diskutuam për marrëveshjen për shmangien  e dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal. Shqipëria vlerëson njohën e pensioneve që ka hyrë në fuqi më 1 gusht 2022. Vlerësojmë rolin e Kanadasë në OKB dhe NATO. Vlerësojmë mbështetjen e saj për Ukrainën”, tha Nikolla.

Në fjalën e tij Kryeparlamentari kanadez bëri të ditur se janë mbi 35 mijë shqiptarë që jetojnë në Kanada, të cilët shërbejnë në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Presim me padurim të takojmë deputetë të vendit tuaj të bukur, të takojmë shumë shqiptarë, të parashikuara këto takime në programin tonë. Të kemi dialog në fusha si diversiteti, të drejtat e njeriut dhe ndryshimet klimatike. Jemi këtu edhe për të shënuar 35-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-Kanada. Sot marrëdhëniet mes dy vendeve vazhdojnë të lulëzojnë. Si komb ne jemi të lumtur që kemi mbi 35 mijë shqiptarë në Kanada kemi Grupin e Miqësisë në parlamentin kanadez për të forcuar marrëdhëniet tona”, tha Rota.

Vizita e kryetarit të parlamentit të Kanadasë në Tiranë do të zgjasë dy ditë ndërsa të enjten ai do t‘i drejtohet me një fjalë përshëndetëse deputetëve të kuvendit në seancë plenare.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›