E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

KE-ja rezolutë për dokumentat e ish- regjimeve autoritare, Bushka: Transparencë për dosjet e ish- Sigurimit

Këshilli i Evropës pritet të dalë me një rezolutë, lidhur me të drejtën e informimit mbi dokumentat historikë, me fokus ish- regjimet autoritare. Kryetarja e Komisionit për Çështjet Ligjore, Klotilda Bushka, nëpërmjet një postimi një rrjetin e saj social FB, informon se kjo rezolutë do i shërbejë, përveç të tjerave, edhe standarteve më të mira për proceset parlamentare që ka nisur Kuvendi i Shqipërisë, për transparencën e plotë, lidhur me dosjet e ish- Sigurimit të Shtetit.

Qëllimi, sipas saj, është dhe moslejimi i personave bashkëpunëtorë të ish- Sigurimit të Shtetit diktatorial, për të qenë pjesë e jetës publike e politike në Shqipëri

 “Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës vendosi të hartohet një raport e të diskutohet një rezolutë për të drejtën e informimit mbi dokumentat historikë me fokus ish- regjimet autoritare. Asambleja kërkon një studim për Evropën mbi këto çështje dhe hartimin e rekomandimeve për shtetet anëtare, me synim që e vërteta objektive të bëhet transparente dhe të mos përsëriten më gabimet e të shkuarës. Jam e nderuar që Komiteti i Çështjeve Ligjore në Asamble vendosi me unanimitet caktimin tim si raportere për këtë raport dhe rezolutë! Besoj fort se kjo përgjegjësi që mu dha do i shërbejë, përveç të tjerave, dhe standarteve më të mira për proceset parlamentare që kemi nisur në Kuvend për transparencën e plotë, lidhur me dosjet e ish- Sigurimit të Shtetit dhe moslejimit të personave bashkëpunëtorë të ish- Sigurimit të Shtetit diktatorial, për të qenë pjesë e jetës publike e politike në Shqipëri”, shkruan Bushka.

Kryetarja e Komisionit për Çështjet Ligjore, Bushka, është caktuar edhe si raportere për këtë raport dhe rezolutë të Asamblesë Parlamentare të KE-së.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›