E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeprokurorët e Ballkanit Perëndimor mblidhen në Sarajevë, udhëzuesi i ri për ekipet hetimore

TIRANË, 19 maj/ATSH/ Kryeprokurorët e Ballkanit Perëndimor u mblodhën sot në Sarajevë, në kuadër të Forumit të Tretë Rajonal Konsultativ, ku u diskutua forcimi i bashkëpunimit rajonal në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si edhe koordinimi me partnerët europianë për hetimet ndërkufitare.

Forumi u organizua nga Projekti i Drejtësisë Penale të Ballkanit Perëndimor (WBCJ), në bashkëpunim me Zyrën e Prokurorit të Bosnjë-Hercegovinës dhe mblodhi Kryeprokurorët e Përgjithshëm dhe të Posaçëm nga gjashtë vendet e rajonit.

Shqipëria u përfaqësua në këtë forum nga drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Klodjan Braho, dhe drejtuesi i Seksionit Kundër Korrupsionit, Vladimir Mara.

Gjatë forumit, pjesëmarrësit diskutuan mbi forcimin e bashkëpunimit në trajtimin e rasteve të krimit të organizuar dhe korrupsionit, me fokus të veçantë te koordinimi operacional, shkëmbimi i informacionit dhe përdorimi i instrumenteve të avancuara të bashkëpunimit gjyqësor.

Në kuadër të takimit u prezantua edhe Udhëzuesi i ri Praktik mbi Ekipet e Përbashkëta Hetimore (JIT), i hartuar për profesionistët praktikues të Ballkanit Perëndimor, me synim lehtësimin e hetimeve të përbashkëta ndërkufitare dhe rritjen e efikasitetit të bashkëpunimit mes autoriteteve ligjzbatuese dhe gjyqësore në rajon.

Presidenti i Eurojust-it, Michael Schmid vlerësoi progresin e arritur në kuadër të projektit të udhëhequr nga Eurojust në Ballkanin Perëndimor.

“Pas gati katër vitesh bashkëpunimi të ngushtë përmes projektit të Drejtësisë Penale në Ballkanin Perëndimor, mund të themi me siguri se kemi bërë përparim të rëndësishëm. Deri më sot janë mbështetur 88 hetime ndërkufitare, përfshirë 23 ekipe të përbashkëta hetimi, që përfshijnë shtete anëtare të BE-së, partnerë të Ballkanit Perëndimor dhe vende të tjera joanëtare”, deklaroi Schmid.

Ai theksoi gjithashtu se ekziston një konsensus i gjerë për vijimin e bashkëpunimit operacional dhe forcimin e lidhjeve ndërmjet prokurorëve dhe gjyqtarëve të Ballkanit Perëndimor me homologët e tyre në vendet anëtare të Bashkimit Europian.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›