Kryeprokurori i Durrësit, 15 kandidatura

Prokurorë të niveleve të ndryshme kanë dorëzuar CV-të e tyre, pranë Këshillit të Prokurorisë për vendin e Prokurorit të rrethit
Me 12 mars, pritet emrat e "aplikantëve" të diskutohen dhe një prej tyre të dërgohet nga Ina
Rama tek Presidenti për dekret
TIRANË- Këshilli i Prokurorisë së Përgjithshme pritet që në mbledhjen e 12 marsit të shqyrtojë CV- të e 15 kandidatëve për drejtues në Prokurorinë e Rrethit Durrës, pas dorëheqjes dhe largimit të prokurorit Arian Ndoja nga kjo detyrë.
Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare dhe anëtarë të Këshillit të Prokurorisë, të cilët sqaruan se me 12 mars, pritet të diskutohet dhe të zgjidhet emri i drejtuesit të ri të Prokurorisë së Durrësit.
Ai pritet t'i propozohet kryeprokurores Ina Rama që më pas ajo t'i drejtohet Presidentit të Republikës për t'i kërkuar dekretimin e emrit. Të njëjtat burime pohuan se ndër kandidatët që kanë paraqitur kërkesën pranë Këshillit të Prokurorisë së Përgjithshme janë drejtues prokurorie dhe prokurorë të ndryshëm. Po kështu, mes kandidatëve konkurrues për në krye të institucionit të akuzës në Durrës, kanë kandiduar edhe drejtues të Prokurorive të rretheve të ndryshme.
Ndër ta janë drejtuesi i Prokurorisë së Shkodrës, Përparim Kulluri, ai i Prokurorisë së Beratit, Xhemajl Saliu, i Fierit, Altin Bino, i Elbasanit, Elvin Gogaj, si dhe drejtuesi i prokurorisë së Lezhës Artan Madani. Duket se pozicioni i drejtuesit të organit të akuzës në Durrës, është më tepër i lakmuar për krerët e prokurorive të rretheve që kandidojnë, se sa institucionet që drejtojnë aktualisht.
Mes kandidatëve janë edhe dy drejtues të njësive të "Task-Force", njësia e Luftës kundër Krimit Ekonomiko Financiar, e ngritur pak muaj më parë në rrethe. Kështu në listën e kandidatëve të kësaj kategorie janë, drejtuesi i kësaj njësie në Durrës, Dritan Rreshka dhe ai prokurorisë së Korçës, Elison Sadiku.
Gjithashtu, pozicioni i drejtuesit në Prokurorinë e Durrësit ka joshur, edhe dy prokurorët e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Adnan Xholi e Anton Martini. Të dy këta prokurorë njihen si njerëz që përfaqësojnë akuzën pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda, në proceset penale me shumë të pandehur të akuzuar si pjesëtarë të "bandave" të ndryshme të rrezikshme që kanë vepruar dhe që janë goditur në vend.
Përveç këtyre emrave, Këshillit të Prokurorisë së Përgjithshmem, i janë drejtuar me kërkesën e tyre edhe gjashtë prokurorë të thjeshtë, Arben Dyla prokuror në Lushnje, Granit Shahu, prokuror në Shkodër, Dritan Gina e Ardian Ylli, prokurorë në Durrës, Ramadan Troci prokuror në Peshkopi dhe Ylli Basha, prokuror në prokurorinë e Kavajës.
Pritet që të gjithë këta kandidatë, mesditën e datës 12 marsit 2010 do t'i nënshtrohen verifikimit nga anëtarët e Këshillit të Prokurorisë së Përgjithshme dhe më pas ata duhet të votojnë për emrin e ri të drejtuesit të Prokurorisë së Durrësit. Ky institucion vazhdon të drejtohet nga prokurori i komanduar në krye të këtij institucioni, Bujar Sheshi.
Pritet gjithashtu, që anëtarët e Këshillit të shqyrtojnë një nga një të gjithë CV-të e kandidatëve të paraqitur dhe më pas të votojnë vetëm njërin prej tyre që do ia propozojnë kryeprokurores Rama për emërimin e tij. Funksioni i Prokurorit të Rrethit në Durrës, mbeti vakant, pasi drejtuesi i mëparshëm i këtij institucioni, Arian Ndoja, kërkoi largimin nga funksioni që mbante prej afërsisht një viti.
Task- Forca e kryeqytetit, ende pa drejtues
Prej muajsh ka mbetur vakant edhe funksioni i drejtuesit të njësisë së Task-Forcës pranë Prokurorisë së kryeqytetit, pas emërimit të prokurorit Altin Dumani si prokuror në prokurorinë e Apelit në kryeqytet. Që nga koha e transferimit të Dumanit në Apel, sektori i Task- Forcës, në kryeqytet vazhdon të jetë pa drejtues.
Kjo ka bërë që prokurorët e njësisë të trokasin për çdo firmë në dosjet e tyre në dyert e prokurorit të rrethit, apo të katër zëvendësve të tij, duke shkaktuar ndonjë herë edhe burokraci në veprimet hetimore. Dumani, drejtoi njësinë e Antikrimit Ekonomik, në Prokurorinë e Tiranës, për gati dy vite me radhë që nga koha e krijimit të saj, deri në momentin e transferimit të tij në Prokurorinë e Apelit.
KANDIDATËT
Altin Bino, aktualisht drejtues i Prokurorisë së Fierit
Artan Madani, aktualisht drejtues i Prokurorisë së Lezhës
Elvin Gokaj, aktualisht drejtues i Prokurorisë së Elbasanit
Përparim Kulluri, aktualisht drejtues i Prokurorisë së Shkodrës
Xhemajl Saliu, aktualisht drejtues i Prokurorisë në Berat
Dritan Rreshka, aktualisht drejtues i "task-forcës" në Prokurorin e Durrësit
Elison Sadiku, aktualisht drejtues i "task-forcës" në Prokurorinë e Korçës
Adnan Xholi, aktualisht prokuror i Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë
Anton Martini, aktualisht prokuror i Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë
Arben Dyla, aktualisht prokuror në Lushnje
Ardian Ylli, aktualisht prokuror në Durrës
Dritan Gina, aktualisht prokuror në Durrës
Granit Shahu, aktualisht prokuror në Shkodër
Ramadan Troci, aktualisht prokuror në Peshkopi
Ylli Basha, aktualisht prokuror në Kavajë
Pritet "masa disiplinore" ndaj 5 prokurorëve të Durrësit
Në mbledhjen e radhës, Këshilli i Prokurorisë së Përgjithshme, veç shqyrtimit të kandidatëve për të gjetur drejtuesin e ri të Prokurorisë së Durrësit, pritet të shqyrtojë edhe procedimin disiplinor për pesë prokurorë. Propozimet e Drejtorisë së Inspektimit, të Prokurorisë së Përgjithshme, mbi shkeljet e pesë prokurorëve të institucionit të akuzës në Durrës, të konstatuara prej specialistëve përkatës gjatë kontrollit të ushtruar në organin e akuzës në qytetin e Durrësit.
Një fakt i tillë është konfirmuar për "Shekullin", dje nga burime të Këshillit të Prokurorisë së Përgjithshme. Sipas tyre prokurorët: Drini Pali, Dritan Gina, Ilir Turja, Eduart Karriqi dhe Driton Gripshi, pritet t'i nënshtrohen "hetimit" dhe diskutimit në këtë këshill në mbledhjen e radhës. Ata janë propozuar për masa disiplinore nga Drejtoria e Inspektimit, e Prokurorisë së Përgjithshme, pasi nga kontrolli i ushtruar dosjeve të tyre ata kanë rezultuar me shkelje. Kontrolli në Prokurorinë e Durrësit, filloi që prej vitit të kaluar dhe vazhdoi për disa muaj me verifikimin e dosjeve penale të hetuara në këtë institucion.
Në përfundim të kontrollit, Drejtoria e Inspektimit hartoi një raport me shkeljet e gjetura dhe në përfundim u vendos që në rastin e pesë prokurorëve, të paraqitej në Këshillin e Prokurorisë propozimi për fillimin e procedimit disiplinor.
Pas fillimit të procedimit në këshill, prokurorët Drini Pali, Dritan Gina, Driton Gripshi, Eduart Kariqi dhe Ilir Turja, pritet që në mbledhjet e ardhshme të thirren në Këshill për të dhënë argumentet e tyre apo edhe kundërshtimet, në lidhje me raportin e shkeljeve që është hartuar për punën e tyre në Prokurorinë e Durrësit.