Kryeprokurori i ri, Nishani nis konsultimet me partitë politike
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka nisur ditën e sotme takimet konsultative me krerët e grupeve parlamentare për postin e kryeprokurorit të ri.
Në njoftimin për shtyp të Presidencës theksohet se këto takime kanë për qëllim evidentimin e vlerave më të mira që përfaqëson figura e ardhshme e kreut të akuzës, si një pozicion i rëndësishëm në sistemin e drejtësisë.
Takimi i parë është ai me kreun e grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi i cili ka nisur në orën 10.00. Në orën 11:00 është planifikuar një takim me kreun e grupit socialist, Gramoz Ruçi; në 12:00 me Lefter Kokën e LSI e më pas edhe me Fatmir Mediun, Vangjel Dulen e Shpëtim Idrizin.
Edhe në këto takime nuk do të jete pjesëmarrëse Fryma e Re Demokratike, e cila përfaqësohet në Kuvendin e Shqipërisë me deputetin Gazmend Oketën.
Këto takime konsultative për kreun e ri të akuzës vijnë pas konsultimeve që kreu i shtetit zhvilloi me përfaqësuesit e partive politike për caktimin e datës së zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.
20 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)
Kryeprokurori i ri, Nishani nis konsultimet me partitë politike burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip