E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeqytetet shqiptare

12-02-2012 / Nga Blerina Rogova Gaxha

Shqiptarët në këtë muaj kanë disa përvjetorë të rëndësishëm, që lidhen fort me ekzistencën e tyre kombëtare politike dhe kulturore. Si sot 92 vjet më parë, menjëherë pas Kongresit të Lushnjës, Tirana shënjohet si kryeqyteti i shqiptarëve dhe i Shqipërisë. Ka pak njerëz që mund ta dinë historinë e shpalljes së Tiranës kryeqytet të Shqipërisë, dhe ndoshta edhe më pak arsyet që kanë çuar në këtë vendim. Për pak ditë edhe Kosova kremton katër-vjetorin e pavarësisë së saj me kryeqytet Prishtinën, e cila në historinë e saj si kryeqytet i Kosovës ka kaluar në faza të ndryshme, por që realisht në këtë 17 shkurt dhe ajo i mbush katër vjet në historinë e të qenit kryeqytet i një shteti të pavarur. Historia e gjatë ose e shkurtër e kryeqyteteve shqiptare në Ballkan dhe përvjetorët e tyre, vijnë në një moment të çuditshëm për historinë e një populli dhe kulturën e tij. Megjithëse qendrat shqiptare të kulturës dhe të politikës, gjatë historisë së tyre kanë pasur ndikime të jashtëzakonshme të një kulture orientale, ato pothuaj gjithmonë kanë qenë të orientuara nga oksidenti, i cili akoma mbetet shumë larg tyre. Sot kur shqiptarët “e kanë një ëndërr” që një ditë të jenë pjesë e familjes së madhe evropiane dhe kur po kjo familje i ka lënë në bishtin e saj, ata në jetën reale më shumë se kurrë po merren me veten e tyre. Disa do të donin që të kishte një identitet kulturor e kombëtar të Kosovës dhe një të Shqipërisë, disa të tjerë që të kishte një flamur për të gjithë e disa që të kishte shumë bajrakë, të tjerë një gjuhë të vetme ose të copëtuar në pjesë. Komunitete politikanësh, shkencëtarësh, publicistësh, gjuhëtarësh e gazetarësh… vazhdojnë që të mos shohin përtej ëndrrës që kanë dhe sikur harrojnë se për të qenë pjesë e një tërësie, duhet të paktën të plotësosh disa nga kushtet elementare të saj. Së pari do të duhej të kishte bile disa baza integruese që do të manifestoheshin edhe përmes kulturës dhe dijes, ndoshta më parë në rrafshin kombëtar.
Në kryeqytetet shqiptare sot mbi 90 për qind e mënyrës së jetesës është politike, e pistë dhe jo në pak raste komuniste. Edhe mënyra e komunikimit dhe kultura e elitave shqiptare në raport me njëri-tjetrin është pothuaj e ngjashme. Janë të rrallë popujt që kanë dy kryeqytete në një largësi relativisht të vogël, siç janë Prishtina dhe Tirana, por po ashtu janë të rralla kryeqytetet që nuk duan e nuk bëjnë për njëri-tjetrin, as në rrafshin politikë e as në atë kulturor. Ndoshta një shembull i ngjashëm do të mund të ishin kryeqytetet e Koreve, që kanë një perde të hekurt ndërmjet. Megjithëse kryeqytetet shqiptare kanë pasur një histori të dhimbshme dhe gjithmonë ishin në luftë për krijimin e identitetit të tyre qytetar e kulturor, ato akoma s’kanë arritur të krijojnë një vlerë konkurruese në raport me kryeqytetet evropiane ose të rajonit. Mbase në mungesë të një vlere të tillë, ata i janë kthyer konkurrencës ndër veti, dhe thellë-thellë komunitete të tëra përçmojnë vlerat që krijohen në Prishtinë ose në Tiranë. Për disa nga kosovarët gjuha standarde vazhdon të jetë gjuhë e byrosë politike dhe e Enver Hoxhës, ndërkaq gjuha e kosovarëve për elitën letrare të Tiranës “e trashë”. Po lutemi përditë që gjuha politike e kulturore e Tiranës të mos bartet në Kosovë, sepse thuhet të jetë nën nivelin e komunikimit intelektual e kulturor. Pak ditë më parë kemi dëshmuar se jemi larg njëri-tjetrit, sepse grupe nga Tirana, ia kishin mësyrë Kosovës për ta mbështetur pjesën dhe jo tërësinë e saj.
Përfundimisht kryeqytetet shqiptare sot, edhe në planin kulturor, janë më larg njëri-tjetrit se sa që është Shkupi me Beogradin, apo Podgorica me Zagrebin. Kryeqytetet shqiptare në këtë shkurt shënojnë përvjetorët e tyre, kush më shumë e kush më pak. Dhe kjo është pjesë e luftës së përbashkët.
Marrë nga e përditshmja e Prishtinës “Zëri”

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›