Shuarja e “Republikës 1244” dhe Fantazma e “Republikës 4”
Kosova aty ka qenë. Dhe aty është. Nuk ishte Republikë. Republikën e përhershme e ka që më 17 shkurt 2008. Dy “republika” të tjera janë ndryshe – e para po shuhet, e pasmja mëton të ndizet. Për këtë bëhet një luftë politike e diplomatike e ashpër, edhe 13 vjet pas çlirimit.
Çlirimi i Kosovës, më 1999, e çoi popullin kah liria, por aty mbeti për mbrojtje tharmi i NATO-s – KFOR-i. Dhe, menjëherë erdhi UNMIK, që vendosi mbikëqyrjen tërësore të jetës politike, diplomatike, administrative, ekonomike e ligjore, mbi bazën e Rezolutës 1244, të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Me mbikëqyrje të rreptë ndërkombëtare, Kosova mund të emërtohej edhe si “Republika 1244“, madje ajo qe forma e fillestare, edhe pse kurrë nuk u shqiptua me atë emër. Këshilli i Sigurimit i OKB-së, shqyrton rregullisht raportet mbi gjendjen e zhvillimit të tërësishëm të “asaj republike”.
Por, “Republika 1244” ka ardhur përherë në zbehje, për të shkuar drejt shuarjes. Viti 2012 është shpallur fundi i mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës dhe i përmbushjes së Planit Ahtisaari, që, siç është njoftuar nga zyrtarët e lartë të Prishtinës, zbatimi i tij është kryer në 85 për qind. Ajo çfarë ka mbetur për t’u vënë në jetë, përbën konfliktin e serbëve të veriut, të cilët janë marrë peng nga Beogradi për t’u përdorur si trysni për përfitime politike gjithëserbe. Ka tri pikëpamje ende në përplasje: Shteti i Kosovës ka deklaruar i pari që, Rezoluta 1244 e ka përmbyllur qëllimin e saj. Faktori ndërkombëtar eci më me ngadalë drejt formulimit të këtij mendimi, deri sa vitin 2012 e përcaktoi si fundin e mbikëqyrjes. Kjo nuk thotë, as më pak e as më shumë se sa, Rezoluta 1244 të futet në sirtar për t’iu përcjellë historisë së fillimit të shtetit të Kosovës, menjëherë pas luftës dhe marrëdhënieve të saj të gjata me OKB-në. Por, Serbia nuk pajtohet me këtë. Ajo, gjatë gjithë veprimtarisë së ethshme politike, ende e mban këngë Rezolutën 1244, duke dashur të nxjerrë përfitime nga kufoma e varrosur në histori e Republikës Federative Socialiste e Jugosllavisë. Borko Stefanoviç, shef i delegacionit serb në bisedimet Beograd - Prishtinë, në mes të muajit janar tha se, Serbia pranon që Kosova, “të marrë pjesë në veprimtari rajonale, por me diçka që, në tabelën që vihet përpara delegacionit të shkruhet “Rezoluta 1244”. Gjatë kësaj përpjekjeje, siç kanë bërë me dije mediat serbe, një ndeshje politike e fortë bëhet mes Berlinit dhe Beogradit. Gjermania i kërkon Serbisë të heqë dorë nga Rezoluta 1244. Ambasadori gjerman në Beograd, Volfram Mas u ka thënë që, “ Rezoluta 1244 i takon së kaluarës. Ajo është sjellë në vitin 1999 dhe që atëherë kanë kaluar shumë vite”. Nën trysninë gjermane, Beogradi ndjehet ngushtë dhe, përditë vështron që, “Republika 1244” e shuar, të zëvendësohet me një tjetër lloj republike.
Dhe, kjo, nuk është ide e fshehur në krenat e tyre, por u shpreh me terma politikë të qartë: Presidenti Boris Tadiç ka shtruar planin prej 4 pikash: 1. Status special për veriun e Kosovës 2. Mbrojtje të trashgimisë kulturore serbe në tërë Kosovën 3. Mbrojtje dhe kthim të pasurisë së serbëve të Kosovës 4. Kthim i të zhvendosurve nga Kosova. Thuajse, njëkohësisht me Planin 4-pikash, presidenti Boris Tadiç ka paraqitur zgjidhjen me “Sovranitet të Dyfishtë” të Kosovës. Kjo nuk është tjetërgjë veçse “Republika 4”. Me të Serbia mëton të zëvendësojë “Republikën 1244”, që po shuhet e nuk e mbron dot, pasi ka kundër edhe faktorin përcaktues ndërkombëtar. Ajo do që Plani Ahtisaari të mund të bëhet Ahtisaari Plus, çka do të thotë që, në Kosovë, statusi special i veriut, trashgimia kulturore serbe, mbrojtja dhe kthimi i pasurive të serbëve dhe kthemi i serbëve të larguar, të nxirren nga e drejta kushtetuese qeverisëse e Prishtinës dhe të vihen nën qeverisjen e Beogradit, sipas nenit të kushtetutës së Serbisë. Ky synim serb, përveçse i padrejtë, përveçse djallëzor, përveçse armiqësor, përveçse ndërhyrje brutale i një shteti në një shtet tjetër, synon të ndërkallë nëpër Kosovë, metastazat e një kanceri kundër Republikës dhe popullit të saj. Por, nëse “Republika 1244” po shuhet, “Republika 4” nuk do të lindë. Republika e njëmendtë e Kosovës është shpallur më 17 shkurt 2008, është Republika e përhershme e gjithë popullit të shtetit më të ri të kontinentit të Europës, vërtetë i lindur pa dëshirën e Serbisë, por i pranuar nga 86 shtete e që, nuk do të kalojë shumë kohë dhe Kosova do të ketë njohjet e mjaftueshme për të kapërcyer, nga vend i UNMIK në anëtare të OKB. Në këtë botë, ndër gjërat më të çmuara janë miqtë: Kosova nuk i pati, por i gjeti. Serbia i kishte, dhe i humbi.
Për t’i bërë trysni Serbisë që, edhe pse nuk e njeh Kosovën, të detyrohet të shkrijë “konfliktin e ngrirë” që e ngriu vetë dhe që e ka deklaruar qysh prej dymbëdhjetë vjetësh, duhet të mos i jepet statusi i vendit kandidat pa përmbushur detyrimet: të tërhiqet nga Rezoluta 1244; të shpërbëjë strukturat paralele; të heqë barrikadat; të mos e pengojë Kosovën të marrë pjesë në veprimtaritë rajonale. Pikëpamjet rreth kushteve, për t’iu dhënë ose jo stastusi i vendit kandidat, janë të ndryshme: Gianfranco Fini, gjatë një vizite më 8 shkurt, tha në Beograd që, “detyrat janë kryer dhe të gjitha kanë përfunduar me sukses”. Por, Serbia nuk ka kryer një nga detyrat më bazë – atë të sjelljes në mënyrë normale me shtetin fqinj, Kosovën. Këtë e mendojnë drejt në Gjermani, por dhe në Parlamentin Europian, sepse kreu i tij, Martin Schulz, u përgjigj menjëherë, po atë ditë, edhe pse në mënyrë shumë diplomatike, duke thënë që, “dua të jem i ndershëm me ju, tani nuk është momenti i duhur për zgjerim të BE-së”. Por, Prishtina është fare e drejtpëdrejtë: ministri i jashtëm Enver Hoxhaj, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB, më 8 shkurt paralajmëroi që, “ Nëse Serbia shpërblehet me statusin e kandidatit, pa shpërbërjen e strukturave të policisë dhe të sigurisë, në veri të Kosovës, largimin e barrikadave dhe zbatimin e plotë të marrëveshjeve, atëherë pasojat do të jenë afatshkurta dhe afatgjata”.
“Republika 4” është fantazma e “Sovranitetit të dyfishtë”, që sillet rreth Kosovës, ose Plani Tadiç si meremetim i Planit Ahtisaari në Ahtisaari Plus. Presidenti Ibrahim Rugova, qysh para krijimit të shtetit të Kosovës e pati dhënë përcaktim për përherë: “Ne shqiptarët kemi bërë kompromis duke pranuar të heqim dorë nga bashkimi me shtetin shqiptar”. Kosova është Republikë, si çdo republikë e shteteve të pavarura, ajo po del nga “Republika 1244” dhe nuk do të nëpërkëmbet me “Republikën 4”, metastaza kanceroze e “Sovranitetit të Dyfishtë”.