E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeredaktori i Koha Jone Vota e 8 majit sa politike aq dhe per individin

Vota e 8 majit ishte sa politike aq edhe për individin, vlerësoi kryeredaktori i “Koha Jonë”, Edison Kurani, i ftuar në studion e “ABC News”, duke u ndalur në zgjedhjet e 8 Majit dhe procesin e tejzgjatur të numërimit të votave.

“Shumë qytetarë që mbështesin mazhorancën kanë zgjedhur të votojnë pro ose kundër individit në bashki si Tirana ku ende rezultati mbetet pezull, por edhe në bashki si Elbasani ku ka fituar e majta.

Në rastin e Elbasanit, duket qartë se vota ka qenë e ndarë pasi mbështetësit e mazhorancës i kanë dhënë pasivisht vota PD-së duke e bërë dominuese në Këshillin e ri Bashkiak, kurse preferenca për kandidatin Durim Hushi ka qenë më e pakët”, - vlerëson z.Kurani.

Ai përmendi edhe rastin e Kavajës duke sjellë në vëmendje se ajo në këto 20 vjet ka qenë bastion tejet i njohur i mazhorancës aktuale.
“Edhe atje, - tha ai, - është votuar në mënyrë të dyzuar, politikisht është zgjedhur PD kurse individi ka pasur preferencë më të ulët për qytetarët kavajas duke sjellë fitoren e kandidatit të PS”.

Këtu z.Kurani përmendi faktin se kryebashkiaku i ri i kandiduar nga PS, në fakt vjen nga PD ku ka qenë emër i njohur në atë qytet, deri vonë.

Në analizën për zgjedhjet, z.Kurani kritikoi dhe thirrjet e bëra një ditë më parë nga deputeti socialist Erion Braçe, i cili bëri thirrje që populli të mblidhet te KZAZ e njësisë nr 5 me pretendimin se është bllokuar numërimi. Kurani vlerësoi se “të tilla thirrje nuk i shërbejnë qetësisë me të cilën u karakterizuan këto zgjedhje” dhe shtoi se “këto thirrje nëse do të gjenin përkrahje nga cilado palë mund të sjellin pasoja të rrezikshme”.

Por në bisedën me Enkel Demin, kryeredaktori i “Koha Jonë”, është ndalur gjatë edhe në përvjetorin e njëzetë të gazetës që ai drejton prej afro katër vjetësh.

Z.Kurani përmendi faktin se “Koha Jonë” është e para gazetë e përditshme e pasdiktaturës komuniste.

Ai i vuri theksin edhe faktit se kjo gazetë ka shërbyer si shkollë gazetarie duke nxjerrë emra të njohur të cilët aktualisht drejtojnë mediat në vend e po ashtu janë bërë pjesë e rëndësishme e jetës politike dhe sociale të Shqipërisë.

Kryeredaktori i “Koha Jonë”, bëri të ditur se në kuadrin e 20 vjetorit e përditshmja është duke mbërritur çdo ditë me surpriza të reja.

Ai publikoi strategjinë e kësaj gazete për të qenë më afër publikut duke sjellë shërbime utilitare që nga punësimi, arsimi, shëndeti dhe rubrika të tjera. Z.Kurani njoftoi dhe rinisjen në vitin e tretë, të suplementit të përditshëm “Summer Time” i cili do të vazhdojë deri në fund të muajit shtator.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›