E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryesia socialiste vendos që PS të bojkotojë zgjedhjet e 15 nëntoritNga Tema Partia Socialiste do të bojkotojë zgjedhjet e pjesshme të 15 nëntorit. Vendimi është marrë në mbledhjen e djeshme të Kryesisë së kësaj partie, me shumicën e votave

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Kryesia socialiste vendos që PS të bojkotojë zgjedhjet e 15 nëntoritNga Tema

Partia Socialiste do të bojkotojë zgjedhjet e pjesshme të 15 nëntorit. Vendimi është marrë në mbledhjen e djeshme të Kryesisë së kësaj partie, me shumicën e votave të këtij forumi. Vendimi i Kryesisë së PS do të diskutohet sërish në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS që do të zhvillohet të shtunën, më datë 17 tetor. Vendimi i djeshëm i Kryesisë së PS është kundërshtuar nga Ben Blushi, Kastriot Islami, Eva Allushi, Andis Harasani etj., të cilët më pas kanë argumentuar votën e tyre kundër bojkotit të zgjedhjeve.

Ndërsa kryetari i PS, Edi Rama, tha menjëherë pas mbledhjes se “demokracia është në krizë” dhe se për këtë arsye, sipas tij, bojkoti i zgjedhjeve si hap i dytë pas bojkotit parlamentar është rruga e domosdoshmërisë jetike për popullin opozitar për të mbrojtur lirinë dhe të drejtën e vet. “Besoj që ka pasur një zëdhënie zyrtare lidhur me mbledhjen e sotme, një vendim që është një vijim krejt i natyrshëm, në një rrugë, e cila është rruga e domosdoshmërisë jetike e të gjithë popullit opozitar, për të mbrojtur lirinë dhe të drejtën e vet, për të mbrojtur demokracinë, për të mbrojtur votën si një liri dhe e drejtë që nuk mund të tjetërsohet, nuk mund të shkelet, nuk mund të transferohet dhe nuk mund të deformohet. Dhe në këtë rrugë ne jemi shumë të vendosur dhe ky është një proces, i cili ka të bëjë me fatet e një demokracie të kapur peng dhe të futur në krizë në të gjitha funksionet jetike të saj dhe nuk ka të bëjë me asnjë lloj taktike apo çfarëdo qoftë tjetër që lidh interesat e PS. Këto janë interesat e një vendi të tërë dhe e një populli të tërë, që në vitin 2009 nuk mund dot të merret peng në mes të Evropës nga një pushtet familjar i ricikluar përmes grabitjes së votës”, - tha Rama.

Sekretarja e Marrëdhënieve me Jashtë në PS, Arta Dade, e cila komunikoi vendimin e Kryesisë për bojkot të zgjedhjeve të 15 nëntorit, tha se vendimi i Kryesisë do të diskutohet edhe në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste.

“Kryesia e Partisë Socialiste të Shqipërisë, duke vlerësuar se zgjedhjet e 28 qershorit nuk përmbushën standardet e zgjedhjeve të lira e të ndershme për një vend anëtar në NATO dhe aspirant për në BE, duke e konsideruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve si një vegël politike në shërbim të Sali Berishës, duke nënvizuar faktin e theksuar edhe në raportin e OSBE-ODIHR, se për një të tretën e kutive të votimit, procesi i numërimit ka qenë i keq ose shumë i keq, duke mbajtur parasysh shkeljen flagrante të Kodit Zgjedhor, i cili sanksionon rinumërimin e votave në rast të kërkesës së 2 anëtarëve të KQZ, në mungesë të plotë të një reflektimi nga ana e qeverisë ndaj kërkesave legjitime të opozitës dhe popullit opozitar, për të hetuar në mënyrë transparente procesin zgjedhor dhe për të hapur kutitë si një kusht për zbardhjen e së vërtetës së 28 qershorit:

Shumica e anëtarëve të kryesisë janë të mendimit që PS të mos marrë pjesë në zgjedhjet e pjesshme që do të mbahen më 15 nëntor. Partia Socialiste e Shqipërisë nuk mund dhe nuk do të bëhet pjesë e një tjetër procesi zgjedhor të manipuluar, jashtë standardeve, që shkel ligjin dhe deformon vullnetin e shqiptarëve”, - tha dje Sekretarja e Marrëdhënieve me Jashtë Arta Dade.

Grupi Blushi, kundër bojkotit të zgjedhjeve

Anëtarët e Kryesisë së PS, të cilët janë pozicionuar kundër Ramës pas zgjedhjeve të 28 qershorit, kundërshtuan dje vendimin e Kryesisë së PS për të bojkotuar zgjedhjet e pjesshme lokale të 15 nëntorit. Mbledhja e djeshme e Kryesisë së PS ka zgjatur rreth 90 minuta dhe është shoqëruar me debate midis dy grupeve kundërshtare në këtë forum. Ben Blushi dhe anëtarët e tjerë të Kryesisë kanë argumentuar mendimin e tyre ndryshe për pjesëmarrje në zgjedhjet e 15 nëntorit. Ata e kanë vlerësuar vendimin për bojkot të zgjedhjeve si një qëndrim personal të Edi Ramës dhe si një qëndrim mjaft të dëmshëm për Partinë Socialiste. Anëtari i Kryesisë së PS, Kastriot Islami, mësohet të jetë shprehur në këtë mbledhje se diskutimi në Kryesi për marrjen e vendimit për pjesëmarrje në zgjedhjet e 15 nëntorit nuk ka vlerë, pasi ka përfunduar afati i regjistrimit për zgjedhjet që dy ditë më parë. Islami mësohet të jetë shprehur se ndërkombëtarët vazhdojnë të mos e pranojnë qëndrimin e PS për bojkot të parlamentit, si dhe të zgjedhjeve. Në përgjigje të Islamit, Gramoz Ruçi mësohet të jetë shprehur se “jemi maturuar si politikë aq sa të mund të marrim vetë vendimet”.

Në debat janë përfshirë pjesëtarë të dy grupeve duke argumentuar secila palë qëndrimin e saj, pro dhe kundër pjesëmarrjes në zgjedhjet e 15 nëntorit. Në përfundim, grupi i mbetur në minorancë, i përbërë nga Ben Blushi, Kastriot Islami, Eva Allushi, Andis Harasani kanë deklaruar publikisht arsyet e tyre kundër bojkotit të zgjedhjeve. Në përfundim të mbledhjes së Kryesisë Ben Blushi e vlerësoi vendimin për bojkot të zgjedhjeve si një shans tjetër i humbur për PS, si një tërheqje të PS nga beteja.

“Është një vendim i shpallur në mënyrë personale nga Edi Rama sipas të cilit nuk duhet të futemi në zgjedhjet e pjesshme të datës 15 nëntor në 5 njësi, nga disa prej të cilave komuna, një bashki dhe një minibashki në Tiranë. Sigurisht që një vendim personal edhe ky si bojkoti, një vendim demotivues, i cili fatkeqësisht i thotë të gjithë socialistëve në të gjithë Shqipërinë, që ne nuk fitojmë dot dhe kjo është arsyeja pse nuk hyjmë në zgjedhje. Shumë anëtarë Kryesie, përfshirë edhe mua, sigurisht që ishim kundër. Kërkuam që të hynim në zgjedhjet e datës 15 nëntor sepse është një mundësi për të treguar se socialistët dinë të mbrojnë votat, ishin një test politik për PS dhe jo për qeverinë, pasi socialistët dinë të fitojnë dhe janë mësuar të fitojnë edhe në kushte të vështira. PS nuk demotivohet pavarësisht nga situata politike, pavarësisht nga bojkoti, pavarësisht nga zgjedhjet e 28 qershorit, se e vetmja mundësi që një parti të ekzistojë është që të hyjë në zgjedhje. Një parti që nuk hyn në zgjedhje, çdo ditë i heq vetes arsye për të eksituar. Për fat të keq, kjo fazë demotivimi do t’i çmësojë njerëzit që të votojnë PS, sepse vetë PS po u thotë që nuk ia vlen të votoni për ne sepse ne nuk fitojmë në asnjë rast. Kështu që, jemi futur në një cikël të keq, që nga bojkoti, deri në abstenimin për zgjedhjet. Qesharake më shumë është se PS kërkon zgjedhje të parakohshme. Pyetja për të gjithë është se, nëse ka zgjedhje të parakohshme pas 2-3 apo 6 muajsh, prapë nuk do të hymë në zgjedhjet e parakohshme, sepse ndoshta kushtet që kemi vënë për të hyrë në parlament, edhe atëherë nuk do të jenë plotësuar. Nëse kushtet që i kemi vënë parlamentit apo qeverisë nuk do të jenë plotësuar dhe mund të ketë zgjedhje lokale pas një viti e gjysmë do të ketë zgjedhje lokale, prapë nuk do të hymë në zgjedhje lokale. Është një spirale humbjeje për arsye personale të Edi Ramës. Do vazhdojnë të merren vendime personale, të cilat më përpara thuhen në ekran dhe pastaj formalizohen në forumet e PS, siç ndodhi”, - tha dje Blushi.

Kryesia miraton grupet e punës për ndryshimet në statut dhe programin e partisë

Në mbledhjen e djeshme të kryesisë së PS janë miratuar grupet e punës për ndryshimet në statutin e partisë dhe hartimin e programit të ri të kësaj partie. Përveç vendimit për mospjesëmarrje në zgjedhjet e 15 nëntorit, Kryesia e PS ka miratuar edhe axhendën politike të partisë, për periudhën tetor-dhjetor 2009. Kjo axhendë përfshin organizimin e zgjedhjeve në organizatat socialiste, dhe ngritjen e grupeve të punës për përmirësime statutore. Një pikë tjetër e mbledhjes së Kryesisë së PS është dhe riorganizimi i organizatave socialiste në emigracion. Kryesia e PS miratoi strukturën e grupit të punës për ndryshimet në statutin e partisë. Kryetar grupi do jetë Gramoz Ruçi. Anëtar i grupit të punës për ndryshimet në statutin e PS është zgjedhur edhe rivali i Ramës për postin e kryetarit të partisë, Maqo Lakrori, për platformën e të cilit Rama u shpreh se do të merrej në konsideratë në kohën e ndryshimeve në statutin e partisë. Anëtarë të tjerë të grupit të punës për ndryshimet në statut janë zgjedhur të jenë Fatmir Xhafaj, Erion Braçe, Blendi Klosi, Agustin Marku, Bashkim Fino, Elvira Shapllo, Arben Ahmetaj, Genc Gjonçaj, Ilir Gjoni, Musa Ulqini, Namik Dokle, Ndue Doda, Rajmonda Gjoni, Saimir Tahiri, Taulant Balla, Damian Gjiknuri. Ndërsa grupi i punës për ndryshimet në programin e PS do të kryesohet nga kryetari i partisë, Edi Rama. Në grupin e punës për ndryshimet në program janë zgjedhur të jenë: Rexhep Meidani, Servet Pëllumbi, Ermelinda Meksi, Ilir Beqja, Namik Kopliku, Pandeli Majko, Shkëlqim Cani, Valentina Leskaj, Olta Xhaçka, Vasilika Hysi. Përbërja e grupeve të punës dhe objekti i punës së tyre do të diskutohen dhe më pas të miratohen në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS, të shtunën, më 17 tetor.

Rama: Protesta tjetër, të premten në Berat

“Këmbëngulja e pushtetit për të qëndruar në këmbë mbi kutitë e mbyllura të 28 qershorit, duke mos lejuar nxjerrjen e së vërtetës dhe duke shpërfillur opozitën, e vetë-fajëson përditë e më shumë këtë pushtet për grabitjen e zgjedhjeve, thellon krizën e trefishtë dhe rrit koston e procesit politik në dëm të procesit të integrimit evropian të vendit.

Ne do të vazhdojmë të theksojmë gatishmërinë tonë për të hyrë në parlament me t’u krijuar kushtet për hetimin e pakushtëzuar parlamentar të zgjedhjeve dhe ndërkohë do të vijojmë rrugën e protestave qytetare, në Berat këtë të premte, e më tej në qytete të tjera, duke zgjeruar valën e tyre në çdo rrugë të Shqipërisë.

Numri i firmave të qytetarëve mbi nismën ligjore për hapjen e kutive shumë shpejt do të mbërrijë në 50 mijë.

Shurdhëria e pushtetit ndaj kërkesave tona elementare për një vend demokratik, është rruga më e mbrapshtë për vetë pushtetin.

Ne nuk ndalemi, nuk zmbrapsemi, nuk lodhemi.

Apeli ynë për Sali Berishën është të vendos interesat e vendit mbi interesat e pushtetit të familjes së tij, të vendos interesin kombëtar të transparencës së zgjedhjeve mbi oreksin familjar për përfitime të pallogaritshme përmes pushtetit, të vendos domosdoshmërinë e Shqipërisë për të pasur një Parlament legjitim mbi nevojën e shtëpisë për të pasur një qeveri të tërë në shërbim”.

LSI: Po hyjmë të vetëm në zgjedhje, pasi PS nuk pranoi të ishte në garë

Nënkryetari i LSI, Edmond Haxhinasto, bëri të ditur dje se Lëvizja Socialiste për Integrim do të garojë e vetme në zgjedhjet e pjesshme të 15 nëntorit.

Haxhinasto tha se vendimi nuk do të cenojë koalicionin e ri, që sipas Haxhinastos ka nisur të japë që tani frytet, sidomos në fushën sociale.

Haxhinasto tha gjithashtu se ky vendim nuk do të ishte marrë, në rast se PS do të hynte në zgjedhje.

Por LSI tenton të garojë e vetme në këto zgjedhje për të treguar që ajo ka ende elektorat dhe besim ndër njerëz. Ajo pritet të konkurrojë fort në komunën e Otllakut, ku një përfaqësues i saj ndryshoi krah dhe u bë me Berishën për të garuar si deputet.

Burimet thonë se PD është e gatshme të japë kontributin e saj që LSI të ketë një rezultat të mirë në zgjedhje, për shkak se asaj i intereson gjithashtu që LSI të tregojë që nuk ka humbur elektoratin e saj duke u bashkuar me Partinë Demokratike.

“Dëshiroj të bëj publik vendimin e LSI për të konkurruar e vetme, me kandidatët e saj në zgjedhjet e pjesshme të 15 nëntorit.

Ky vendim i LSI nuk cenon aspak Koalicionin qeverisës për Integrimin Evropian, koalicion i cili ka filluar funksionimin me rezultate të prekshme në të gjithë sektorët, veçanërisht në ata socialë. Vendimi i LSI është marrë duke ushtruar përgjegjësisë tona ndaj të drejtave themelore demokratike të shtetasve, të cilët duhet të kenë mundësinë të zgjedhin midis alternativave personat që do t’i drejtojnë ata në gjithë nivelet e pushtetit.

Natyrisht ky vendim i LSI nuk do të ishte marrë, nëse lidershipi i Partisë Socialiste do të respektonte mandatin e saj politik dhe opozitar që i dhanë zgjedhësit më 28 qershor; nëse axhenda personale e lidershipit të saj nuk do të përdorej për të shkatërruar funksionimin normal të sistemit tonë demokratik. Por, me sa duket, lidershipin aktual të PS nuk e lejon të marrë pjesë në zgjedhje edhe frika se historikut të gjatë të humbjeve, të 28 qershorit, por edhe atyre të Ballagatit, do t’i shtohet edhe humbja në zgjedhjet e 15 nëntorit. LSI do të konkurrojë në këto zgjedhje me përfaqësues të spikatur të saj duke e konsideruar konkurrimin e 15 nëntorit edhe si një test të drejtësisë së vendimit të saj për pjesëmarrje në koalicionin qeverisës”, - tha Haxhinasto. Megjithatë, fakti që PS nuk do jetë në zgjedhjet e pjesshme të nëntorit, e komprometon këtë skemë të LSI dhe rezultati i saj dhe i PD do të jetë i dyshimtë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›