Opozita, “paqe sociale” pas furtunës Nga Skënder Minxhozi Në rrënojat elektorale të 28 qershorit, që kanë mbetur ende në këmbë, vazhdon të fryjë erë e ftohtë. Ashtu siç pritej, humbja solli me vete konflikt, debate dhe përçarje të mëtejshme në një te
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Opozita, “paqe sociale” pas furtunës Nga Skënder MinxhoziNë rrënojat elektorale të 28 qershorit, që kanë mbetur ende në këmbë, vazhdon të fryjë erë e ftohtë. Ashtu siç pritej, humbja solli me vete konflikt, debate dhe përçarje të mëtejshme në një terren që edhe më parë i vuante këto simptoma. Solli gjithashtu edhe një boshllëk të madh idesh dhe tezash për të ardhmen, i cili po mbushet mes një mijë e një pengesash, gropash dhe kurthesh. Megjithatë, në rrëmujën e sotme të opozitës së pas 28 qershorit, ideja se e gjitha kjo ndodhi më së pari për shkak të një qëndrimi shpërfillës dhe përçarës brenda së majtës, ka fituar mjaftueshëm terren. Për herë të dytë Sali Berisha është bërë kryeministër i këtij vendi me më pak vota se sa duhen për t’u ulur në atë poltron. Çarja Nano-Meta në 2005 dhe tani Rama-Meta ka prodhuar një situatë identike, e cila ka rezultuar me mbetjen e PS në opozitë. Nga kjo histori negative fitimtarësh falsë dhe humbësish me shumë vota, socialistët kanë shansin e fundit të nxjerrin mësimin se ky precedent “ngastrash” e “thërrimesh” politike brenda së majtës duhet të marrë fund njëfarësoj.
PS ndodhet në krizë të thellë, por edhe në momentin e një ndryshimi të thellë. Duhet një pakt i madh, si ato marrëveshjet historike që nënshkruajnë sindikatat me qeveritë dhe që sjellin paqen sociale në një vend të trazuar nga krizat e thella. Duhet pra një akt afrimi, pajtimi dhe sheshimi (sa të jetë e mundur) i diferencave, pakënaqësive, bërrylave dhe mllefeve që trazojnë opozitën e sotme. Bindja e përgjithshme, perceptimi kolektiv i asaj që ka ndodhur dhe ndodh sot brenda ngrehinës së të majtës, është se sfondi i këtij sherri ka më së shumti natyrë personale, joparimore. Natyrisht që Blushin me Ramën, Gjinushin me Veliajn apo Milon me Majkon i ndajnë sot edhe vizione të ndryshme për mënyrën e të bërit opozitë apo edhe për mënyrën se si u zhvillua fushata e fundit elektorale, porse duhen dalluar vizionet e mirëfillta nga nuancat që vijnë e marrin peshë, nëse brenda tyre hyjnë humoret e prishura në planin personal.
Në gjendjen që ndodhet sot opozita, bojkoti ose jo i institucioneve të dala nga zgjedhjet e qershorit, por edhe çështja e suksesionit të kreut të PS, janë momentet që kanë sjellë përplasje brenda opozitës. Sa i përket rizgjedhjes së Ramës, kjo duket një temë e mbyllur, ku nuk mbetet për të zgjedhur. Edi Rama u votua nga një numër jo i vogël anëtarësh të partisë së tij, të cilët, me sa duket, ia kanë dhënë edhe një mandat të dytë (të kushtëzuar me shumë gjasë nga rezultati i zgjedhjeve lokale). Nga ana tjetër, mirë ose keq, me ose pa logjikë racionale, opozita e sotme ka kapur me të dyja duart një kauzë të re, potencialisht të rrezikshme, sa edhe efektive - atë të bojkotit. Qëndrimi jashtë Kuvendit është sot motivi i ri që ka nisur të intrigojë ngadalë, por pa u ndalur, popullin e së majtës, i cili shpreson se vetëm delegjitimimi i 28 qershorit mund të ofrojë një motiv për të shpresuar se kjo qeveri e panatyrshme dhe antipatike Berisha-Meta, do të bjerë një ditë jo të largët.
Përballë pjesës dërrmuese të kuadratit opozitar, kundërshtarët e Ramës brenda partisë u shpallën hapur se janë kundër këtij qëndrimi ekstrem. Kryetari i PS nuk e pati shumë të vështirë të bindë krerët e partive aleate se opozita duhet të qëndrojë larg Kuvendit. Në fund të fundit ata nuk janë të pranishëm në parlament, për pasojë edhe ky vendim nuk i prek drejtpërdrejt. Por Rama po ndeshet me një kundërshtim të hapur nga pesë deputetë të grupit të tij parlamentar, të cilët e kanë kapur befas kauzën e anti-bojkotit, duke e kthyer në një kërcënim konstant ndaj kryetarit të partisë.
Ndoshta këtu duhet nisur negociata për një unifikim qëndrimesh, pasi tani është bërë e qartë se Edi Rama nuk do të lëvizë së afërmi nga vendimi për të braktisur parlamentin. Kjo ide me ngjyrim populist dhe aspak e këndshme për bashkësinë ndërkombëtare, e cila e konteston në parim bojkotin si metodë, duket se ka tërhequr edhe disa parti të së djathtës, të cilat deri dje nuk shihnin asnjë hapësirë për bashkëpunim me socialistët. Madje mund të thuhet se disa prej eksponentëve të djathtë kanë qenë ndër faktorët kryesorë të presionit mbi kryetarin e PS, në lidhje më një vendim të shpejtë dhe të qartë të mos-hyrjes në Kuvend. Spartak Ngjela, një avokat i njohur dhe kryetar i partisë “Ligj dhe Drejtësi”, prej ditësh deklamon në media nevojën e zgjatjes së bojkotit, si mjetin kryesor të presionit që opozita ka përballë qeverisë aktuale. Por vetë Ngjela nuk do të negociojë as me Blushin dhe as me Malajn apo Islamin. Kjo detyrë i mbetet mbi shpinë Edi Ramës, të cilit i duhet që mbi këtë shtrat bisedimesh me kundërshtarët lidhur me bojkotin, të ndërtojë një filozofi të re bashkëpunimi dhe kohezioni politik brenda të gjithë strukturës së partisë.
Ka shumë skepticizëm që një karakter i vështirë si ai i Ramës të mundet t’i hyjë me sukses një operacioni të tillë politik dhe estetik në trupin e lodhur të PS së sotme. Ka gjithashtu mjaft pesimizëm lidhur me mundësitë reale që ekzistojnë sot, në mënyrë që kjo parti të gjejë sërish vullnet të mjaftueshëm së brendshmi, për të ndërtuar një shtëpi të përbashkët, ku të mos mbretërojë përçarja dhe interesat divergjente, por mirëkuptimi dhe dëshira për të bërë bashkë një copë rruge. Të paktën deri në zgjedhjet lokale, apo më larg ato të përgjithshme.
Por Edi Rama nuk ka zgjedhje tjetër, veç asaj të vendosjes së një paqeje sociale në PS. Pasi u provua ndër vite (që prej 2005) se shkaku kryesor që e linte të majtën në opozitë dhe Berishën në pushtet, ishte përçarja e këtij krahu politik, sot nevojitet një fillim i ri, pikërisht duke e nisur nga qepja e të çarave dhe unifikimi e mbledhja rreth vetes e të gjithë atyre që ende mund ta pranojnë diçka të tillë. Ky nuk është një proces makijazhi dhe as një aspirinë që i jepet një të sëmuri me kancer. Duke parë sasinë e votave që e majta merr rregullisht në Shqipëri, opozita e sotme nuk është aspak një i sëmurë terminal. Një proces afrimi dhe unifikimi mes komponentëve të majtë dhe me gjerë, një shtrirje e bashkëpunimit në emër të rregullave edhe djathtas do të ishte zgjidhja e duhur.