E Diel, 1 Nëntor 2026

Ceremonia, Berisha e Rama batuta mes tyre, por nuk shtrëngojnë duart

Në 20 vjetorin e Fondacionit gjerman “Friedrich Ebert”, Rama dhe Berisha nuk kanë kursyer batutat gjatë fjalës, që secili prej tyre ka mbajtur në këtë përvjetor. Berisha flet për arritje të qeverisë ndërsa Rama për rrezikun e Shqipërisë në aplikimin për statusin e vendit kandidat

TIRANË Në 20 vjetorin e Fondacionit gjerman “Friedrich Ebert”, kryeministri Sali Berisha dhe kryetari i PS-së, Edi Rama, janë parë me të ndarë se kurrë, duke mos ndërmarrë as edhe një përpjekje formale për shtrëngim duarsh, pavarësisht dëshirës së madhe të ambasadores gjermane. Megjithatë, ata nuk kanë kursyer batutat gjatë fjalës që secili prej tyre ka mbajtur në këtë përvjetor. Kryeministri Sali Berisha ka kërkuar që të flasë i pari, duke nënvizuar arritjet e Shqipërisë dhe bashkëpunimin mes dy vendeve. Gjatë fjalës së tij, Berisha vuri në dukje se ka pasur një bashkëpunim të ngushtë me Fondacionin "Friedrich Ebert", që nga krijimi i Partisë Demokratike. “Fondacioni ka bashkëpunuar në mënyrë bi-partizane me forcat kryesore politike në vend dhe ky bashkëpunim ka vijuar edhe gjatë viteve të qëndrimit tim në opozitë”, - u shpreh Berisha.

“Fondacioni ‘Friedrich Ebert’, - vijoi Kryeministri, - solli një kontribut real për të promovuar frymën e dialogut dhe të mirëkuptimit në vendin tonë, por njëkohësisht ka kontribuar edhe në fusha të tjera, në fushën e legjislacionit, në arsim, me një spektër shumë të gjerë. Fondacioni ka përshtatur të gjitha përpjekjet e tij në funksion të shoqërisë dhe të vendit tonë dhe unë jam shumë i lumtur që ende ata vijojnë të punojnë në këtë vend” . Më pas, fjalën e ka marrë kryetari i PS-së, Edi Rama, i cili ka theksuar se ky 20 vjetor përkon me një kohë të vështirë për Shqipërinë, ku ajo përballet me rrezikun e dështimit të përsëritur në aplikimin për statusin e vendit kandidat për Bashkimin Europian. “Ky njëzetvjetor përkon me një kohë të vështirë për Shqipërinë. Vendi ynë përballet me rrezikun e dështimit të përsëritur në aplikimin për statusin e kandidatit për Bashkimin Europian. Dhe dita e sotme ishte një rast i veçantë për të diskutuar me miqtë e ardhur nga Berlini mbi domosdoshmërinë e daljes nga rrethi vicioz i dështimit, ku Shqipëria rrezikon seriozisht të futet në këtë vjeshtë me një refuzim të ri të Komisionit Europian”,- tha ai. Për pasojë, në fund të fjalës, Rama i kërkoi fondacionit të ofrojë sërish ndihmë për Shqipërinë, duke shtuar se shpreson të mos shkojnë në Berlin fjalët e Berishës se Shqipëria është ekonomia e dytë më e fortë pas Gjermanisë. “Le të shpresojmë që kriza ekonomike të mos ndikojë në financimin që shteti gjerman i bën këtij fondacioni, se as nuk bëjmë dot gjë për ta ndihmuar në rast shkurtimi të fondeve. E thashë këtë se kam edhe hall mos shkon deri në Berlin fjala e Saliut që thotë se Shqipëria është sot ekonomia e dytë më e fortë në Europë pas Gjermanisë! Do ishte vërtet punë dreqi”, - tha Rama duke shkaktuar ilaritet në sallë. Ndërsa Berisha nga ana e tij ka ironizuar fjalën e Ramës, duke shtuar: “Nuk do të shkojë, sepse ke zëvendësuar fjalimet me editoriale. Ju lexoi editorialin e radhës”. Por i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Ramës. Pas ndërhyrjes së kryeministrit, Rama tha se, “Berisha kujton se është në parlament ku mund të ndërhyjë vend e pa vend”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›