E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryetari i KQZ-së, Ristani: “Pretendimet e Dëshira Subashit, thjesht partiake dhe aspak të bazuara në ligj”

TIRANE – Pas deklaratave të ditëve të fundit të nënkryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Dëshira Subashi, sipas së cilës, KQZ-ja dhe Kolegji Zgjedhor kanë shkelur ligjin, teksa vendosën të mos hapin kutitë e votimit të Fierit, Tiranës e Beratit, sipas pretendimeve të Partisë Socialiste, ka reaguar Kryetari Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Arben Ristani, duke i cilësuar pretendimet e saj, “thjesht partiake dhe aspak të bazuara në ligj”.
“Jam surprizuar nga deklarata e ditëve të fundit, ato janë thjesht prononcime partiake dhe aspak me bazë ligjore pasi në vazhdimësi në qëndrimin e asaj shoh që përdorimi i kërkesës ankimore për rinumërim ishte kërkesë partiake dhe politike. KQZ-ja s’ka kompetencë ligjore dhe aq më tepër infrastrukturën e nevojshme për të bërë rinumërim të gjitha kutive të votimit. Imagjino çdo ndodhte, nëse të gjithë kërkonin rinumërim”, u shpreh dje Ristani
Kodi Elektoral ua njeh të drejtën dy anëtarëve të KQZ-së që të kërkojnë rinumërim të kutive të votimit. Por për rastin në fjalë, Ristani sqaroi se kërkesa e tyre nuk u mbështet në prova e fakte.
“Ligji ia njeh të drejtën dy anëtarëve të KQZ-së të bëjnë kërkesë, por saktëson sesi bëhet dhe këqyrja e provës. Në rastin konkret forca police, vëzhguesit dhe komisionerët janë ata që menaxhojnë votën dhe kur ata s’kanë bërë asnjë kundërshtim nuk mund të vish në KQZ dhe të thuash që më është shtrembëruar vota dhe të kërkosh rinumërim”, sqaroi Ristani.
”Në rast se nuk konstatojnë asnjë parregullsi nuk mundet që subjekti përkatës zgjedhor të vijë dhe të ankojë në KQZ dhe të thotë që njerëzit e mi në qarqe të tëra s’kanë bërë detyrën por praktikisht procesi i numërimit paska qenë i gabuar. Pra, duhet të kemi një provë paraprake, dhe pastaj anëtarët e KQZ për ta verifikuar këtë pretendim i cili është paraprakisht i bazuar në prova mund të kërkojnë rinumërim dhe rivlerësim të votave te caktuara. Në konsideratën time, kërkesa për rinumërim të qarqeve të tëra, Berat, Shkodër, Tiranë, Durrës, do të thotë abuzim me këtë të drejtë”, vijon Ristani.
Dhe për të provuar faktin se deklaratat e Subashit janë vetëm politike, Ristani sjell si shembull qëndrimin që vetë përfaqësuesit e opozitës kanë mbajtur në një tjetër rast të ngjashëm në zgjedhjet e pjesshme të Shijakut në vitin 2007.
“Në vitin 2007 komisionerët e PD kërkuan rinumërim të votave dhe me shumicë votash edhe pse mazhoranca ka shumicën në KQZ, u rrëzua kërkesa pasi komisionerët s’kishin bërë asnjë shënim për t’u shpallur këto fletë të pavlefshme dhe kërkuan rinumërim. Sot Subashi mban një tjetër qëndrim. Ata i morën materialet madje edhe filmimet dhe panë që gjithçka ishte brenda rregullave”, kujton Ristani.
Nga ana tjetër, Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Arben Ristani vlerëson me nota maksimale punën e Kolegjit Zgjedhor, dhe quan politike e jo profesionale pretendimet se gjykata e zgjedhjeve u politizua.
”Kolegji Zgjedhor në këtë rast përfundimisht i vuri vulën këtij procesi duke lënë në fuqi vendimin e KQZ dhe komentet tashmë që janë dhe jashtë kohës, nuk kanë më aktualitet, për mua janë përsëri përdorim në funksion të interesave të caktuara politike dhe me vjen keq për këtë”, thotë Arben Ristani kreu i KQZ-së.
Kolegji ashtu si dhe KQZ rrëzoi pese kërkesat e 2 anëtarëve të majtë të Komisionit Qendror për rinumërim në 5 qarqe. Kërkesa që sipas numrit një të KQZ, përveçse të pabazuara në asnjë provë ishin tërësisht politike.
Duke vlerësuar punën disamujore të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kryetari Ristani u shpreh se nën drejtimin e tij, vendimet e KQZ nuk kanë qenë të politizuara.
"Shumica në KQZ ka marr vendime në kundërshtim me interesat e partisë e cila na ka propozuar në KQZ, në të kundërt, pakica në KQZ nuk ka asnjë rast që të ketë marr një vendim ëne të kundërt të interesave të partisë e cila i ka propozuar në KQZ", përfundoi ai.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi të hënën rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të përgjithshme, ku edhe vetë zonja Subashi votoi pro, bashkë me 6 anëtarët e tjerë të këtij komisioni.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›