Kryeministri Berisha thyen rekordin personal në not, por premton ceremoni të veçantë për homologimin e tij
Noton 123 minuta në gjirin e Dhërmiut, kundrejt 120 të një viti më parë TIRANE - Kryeministri Sali Berisha thyen rekordin e tij personal në not në krahasim me atë të një viti më parë. Kryeministri Berisha ka notuar në bregdetin Jonian, pikërisht në gjirin e Dhërmiut, plot 123 minuta, nga 120 që notoi një vit më parë. Gjatë një pushimi të shkurtër fundjavën e kaluar në Dhërmi, kryeministri Berisha, si aktivitet kryesor pati notin. Në ujërat e gjirit të Dhërmiut, kryeministri Berisha theu një rekord personal, me atë të mëparshmin. Nga 120 minuta not që bëri një vit më parë, këtë fundjavë notoi 123 minuta. Ndonëse kryeministri Berisha preferon për pushime më shumë zonat malore, vajtjen në Dhërmi për fundjavë gjatë muajit gushtit e ka kthyer në një ritual pothuajse të përvitshëm. Këtë, kryeministri Berisha e komentoi edhe vetë dje gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, teksa nuk mohoi ambicien për t’u përballur me thellësitë e Jonit, përmes një notimi të gjatë drejt Korfuzit. “Dy janë kategoritë e njerëzve pa pushime, qeveritarët dhe gazetarët. Unë bëra një pushim të shkurtër të cilin e përdora për të verifikuar disa rekorde të miat personale. Theva rekordin e vjetshëm në not, e kisha 120 minuta bëra 123 minuta. Disa herë mendova të nisesha drejt Korfuzit dhe të kthehesha por thashë ta bëj me një ceremoni më të madhe këtë”, u shpreh Kryeministri në mbledhjen e djeshme të qeverisë. Kreu i ekzekutivit, ka thyer edhe rekorde të tjera, madje edhe jo personale. Në prill të këtij viti, dy muaj para zgjedhjeve kryeministri shqiptar theu një tjetër rekord, atë të ngjitjes të pikës më të lartë të murit kinez, kur sfidoi 400 kryeministra dhe presidentë të botës të cilët nuk kanë mundur të shkojnë as deri në mesin e rrugës. Me një fizik të admirueshëm për moshën 64 vjeçare, momentin final të ngjitjes së 1500 shkallëve, Berisha e shoqëroi me një buzëqeshje, ndërsa autoritetet lokale i dorëzuan atij një certifikatë për ngjitjen në pikën më të lartë të murit.
...