E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryetari i PS-së: Debati me Majkon për çorapet e kuqe

TIRANE - Kryetari socialist, Edi Rama falenderoi dje të gjithë qytetarët e qarkut të Tiranës që votuan Partinë Socialiste në 23 qershor. Në një takim festiv të organizuar nga ekipi i kandidatëve për deputetë të këtij qarku, kreu i PS-së nuk u shmang nga batutat me Pandeli Majkon, kapitenin e skuadrës së Tiranës, siç e quajti ai.

Rama tregoi sërish dje, historinë e tij të një fillimi të ftohtë me Pandeli Majkon. Ai kujtoi se kur Kongresi e kishte votuar për kryetar partie dhe Majkon si sekretar të përgjithshëm, i shkoi në zyrë Majkos së bashku me Saimir Tahirin. “Ti je i martuar? Jo, - i thashë. - Po ti je i martuar? - e pyeti Saimir Tahirin. - Jo - tha edhe ai. Epo mirë dil jashtë - i ka thënë Majko, në atë kohë Tahirit”. E pasi doli Tahiri jashtë, sipas Ramës, Majko i ka thënë se, “ne kemi punuar dhe do të punojmë bashkë, por dy gjëra duhet të bësh, e para mos hajde më me çorape të kuqe në PS dhe e dyta, fillo dhe mendo për t’u martuar. Dhe unë i realizova të dyja”, i tha Rama, Majkos.

Por, ai shtoi se çorapet e kuqe i vesh përsëri, por kur nuk ka mbledhje grupi. Kjo shkaktoi të qeshura mes socialistëve të pranishëm, ndërkohë që kreu i PS-së ishte shumë serioz kur tha se: “Të gjithë të interesuarit për të punuar të paraqesin CV-të dhe motivacionin për të kontribuuar për shtetin shqiptar”.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›