Kryetari i PS-se serish apel per ballafaqim me partite parlamentare

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, ka shfrytëzuar Ditën Ndërkombëtare të Tolerancës, për të ripërsëritur apelin drejtuar partive politike parlamentare për tu mbledhur në një tryezë bisedimesh, me qëllim gjetjen e zgjidhjes së situatës që mban të bllokuar votimin e tre ligjeve të kërkuara nga Komisioni Europian për statusin e vendit kandidat.
“Kryetari i opozitës është i gatshëm të përmbushë detyrimin e opozitës dhe kryeministri nuk duhet t’i shmanget kurrsesi përmbushjes së detyrimit të qeverisë”, u shpreh ai.
Për numrin një të opozitës, palët duhet të bëjnë të pamundurën deri në orën e fundit.
“Zgjidhja e problemit të Qarkut Fier do të ishte edhe një shembull kuptimplotë i zbatimit të ligjit dhe do ndihmonte që përveç miratimit të tre akteve, qeveria e opozita t’i ofronin BE-së një shprehje të vullnetit të mirë për të miratuar e për të zbatuar ligjet”, sqaroi Rama.
Kryesocialisti në deklaratën e tij, thotë se problemin e drejtuesit të Këshillit të Qarkut Fier e ka krijuar politika dhe vetë ajo duhet ta zgjidhë.
“I takon kryetarit të Partisë Demokratike, kryeministër i vendit, që ta pranojë detyrën për ta zgjidhur bashkë me opozitën problemin e Qarkut të Fierit, në frymën e ligjit, të dialogut të domosdoshëm dhe të vetë integrimit europian duke hapur kështu rrugën e miratimit të tre akteve”, u shpreh Rama. Lidhur me një çështje të tillë.
Në deklaratën e shpërndarë mediave përmes postës elektronike, Rama thotë se një tryezë e të gjitha forcave parlamentare qeverisëse dhe opozitare, mund të sjellë konsensusin e nevojshëm në këtë moment kur koha nuk pret.