E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryetari i pandershëm i LDK-së

Share

Përpjekjet e Fatmir Sejdiut për të pushtuar me intriga postin e kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës janë kobndjellëse dhe mund të sjellin vetëm përçarje të reja brenda partisë më të madhe opozitare. Një përçarje e re domethënë varrosje definitive e LDK-së dhe shndërrim i saj në patericë të Hashim Thaçit. Kambanat e alarmit po bien veçanërisht për kryetarin e partisë, Isa Mustafën, i cili ende nuk e ka gjetur ilaçin për këndelljen e pacientit politik të quajtur LDK

Enver Robelli

Mbështetësit e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) kanë arsye të jenë të dëshpëruar me kryetarin e ri me Isa Mustafën! Prej premtimeve të bujshme për reforma partiake kryetari i LDK-së ka realizuar shumë pak. Nuk është sa duhet aktiv ndonëse është kreu i opozitës, së paku me vota dhe me deputetë, me ndikim dhe me obligime, të cilat burojnë nga besimi i shumë qytetarëve. Mustafa paraqitet rrallë me deklarata kryesisht thelbësore dhe kritikë konsekuente ndaj qeverisë që erdhi në pushtet pas votëplaçkitjes së dhjetorit 2010. Në pjesën më të madhe të kohës shefi i LDK-së preferon të heshtë. Ose ndoshta edhe flet, por në opinion aktivitetet e tij nuk regjistrohen. Pra, shumëçka mund të kritikohet në kryetarllëkun e Mustafës.

Secili kryetar i zgjedhur i partisë, i shtetit apo i qeverisë gëzon një fazë, kur opinioni e toleron dhe e vëzhgon punën e tij pa shkarkuar kritikë të ashpër. Isa Mustafa e ka kaluar këtë fazë, këtë periudhë provuese! Ai duhet të veprojë, duhet të jetë më i dukshëm në opinion, jo vetëm me prononcime, por edhe me vendime, me angazhim të figurave të reja, të ekspertëve dhe me strategji të bindshme për një qeverisje më të mirë. Nëse si bën këto, atëherë natën e mirë! Politika është e pamëshirshme. Këtë mbase do të duhej ta dinte shefi i LDK-së, i cili ka një përvojë të gjatë në politikë. Neglizhenca në gjallërimin e partisë ecën paralelisht me neglizhencën në menaxhimin e kryeqytetit.

Lajmi se komuna e Prishtinës brenda 9 muajsh ka shpenzuar vetëm 27 për qind të buxhetit për investime kapitale nuk është dëftesë e mirë për kryetarin e Prishtinës. Edhe pse po tentohet që faji ti hidhet qeverisë qendrore, komunarët nuk mund ti lajnë duart në pafajësi. Në këtë vend kryeministri Hashim Thaçi është fajtor për shumë mizori, por jo për të gjitha. Mustafa do të duhej të angazhohej që në shumicën e drejtorive të administratës komunale të sillte menaxherë të zellshëm dhe me ide për zhvillimin e kryeqytetit; duhet të largohen apo së paku të detyrohen të punojnë më mirë ata drejtorë që postet e tyre i shohin si trashëgimi të nënës parti dhe si mundësi ideale për tua bërë qytetarëve jetën më të vështirë ndonëse në kontratat e tyre të punës shkruan se duhet tu shërbejnë qytetarëve. Për kë bien kambanat? Këto ditë ato bien veçanërisht për kryetarin e LDK-së.

Perëndimi i famës

Jo për shfajësim, por si shpjegim duhet thënë se Isa Mustafa po ballafaqohet me një rezistencë të madhe kundër çdo reforme në LDK. Kur e mori partinë ai i gjeti në selinë e LDK-së dhjetëra shoferë dhe truproja. Nuk gjeti ekspertë të ekonomisë, të financave, agronomë, inxhinierë. Sepse LDK i ka përzënë qëmoti ekspertët. Shumë prijës të LDK-së vazhdojnë ta përtypin namin e kohërave të shkuara dhe mjaftohen me përbetime për vaktin e lavdishëm të Ibrahim Rugovës. Ajo kohë tani i përket historisë, me atë periudhë mund të merren historianët ose ndonjë institut i formuar nga partia për ruajtjen e trashëgimisë politike, kulturore dhe sociale të Rugovës. LDK mund të mësojë nga partia e kancelares Angela Merkel, e cila brenda saj ka fondacionin Konrad Adenauer, në kujtim të kancelarit të parë të Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore. Për gjëra të tilla duket se nuk mendohet në LDK. Emri i Ibrahim Rugovës përdoret vetëm në ndonjë tubim edhe ashtu të zbehtë. Dhe me kaq mbaron muhabeti. Madje kohëve të fundit emrin e Rugovës ka zënë ta përdorë si çamçakëz edhe Hashim Thaçi, gjithsesi i shoqëruar me duartrokitjet e pandalshme të një prostitute politike, që ka qëlluar të jetë edhe i biri i Rugovës (ose: Uka i qorrsokakëve të Prishtinës).

Në këtë situatë, kur në LDK refuzohen reformat dhe pehlivanët lokalistë duan të ruajnë vetëm privilegjet personale, familjare dhe klanore, nën rrogoz është shfaqur, gjithnjë e më dukshëm, Fatmir Sejdiu. I hidhëruar, hatërmadh, hakmarrës, ai po përpiqet të bëjë dëm sa më shumë brenda partisë, në mënyrë që aktivistët e LDK-së të heqin dorë nga kryetari Isa Mustafa dhe të kërkojnë kthimin e Sejdiut në postin e kryetarit të LDK-së. Menjëherë pasi Gjykata Kushtetuese e largoi në mënyrë të palavdishme nga posti i kryetarit dhe e damkosi si shkelës të ligjit themelor të shtetit, Sejdiu dhe disa ish-vartës të tij janë përpjekur të krijojnë një konspiracion, të cilin as Enver Hoxha nuk do ta kishe sajuar dot. Nëpër kafehane të Prishtinës ata kanë shpërndarë teorinë se prapa vendimit të Gjykatës Kushtetuese fshihet organizata nëntokësore për spiunazh, plagesa dhe vrasje e Partisë Demokratike të Kosovës dhe disa media. Derisa mediat (qofshin të varura apo të pavarura) kanë raportuar kryesisht në mënyrë korrekte për rastin Sejdiu-Gjykata Kushtetuese, madje shumë herët edhe kanë tërhequr vëmendjen se kryetari i Kosovës smund të ishte njëkohësisht edhe shef partie, sa i përket akuzës se rrëzimin e Sejdiut nga posti i presidentit të vendit e kanë organizuar strukturat që, mes tjerash, vjedhin linja telefoni, duhet ti rikujtohet këtu ish-presidentit të Kosovës se ka qenë ai dhe vetëm ai që jo vetëm pranoi pa asnjë kusht të shtrihet në një shtrat koalicioni me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), por me kalimin e kohës filloi të ndihet rehat, madje edhe gjembat i dukeshin si petale trëndafili. Dhe pse të mos ndihej rehat. Para disa javësh gazeta Zëri njoftoi se në Postë-Telekomin e Kosovës (PTK) ishin punësuar mbesa, vajza të tezës, bashkëshorte, fëmijë dhe motra të grave të politikanëve mujsharë të Kosovës. Në PTK punojnë edhe 4 familjarë të ish-presidentit Fatmir Sejdiu, përkatësisht dy djemtë dhe dy bashkëshortet e tyre, shkruante Zëri. Duket se këtu fillon e mbaron ambicia e Sejdiut për pushtet: sigurimi i disa vendeve të punës për klanin, qoftë ai familjar apo shërbyes!

Si në Korenë e Veriut

Dhe në këtë ndërmarrje Sejdiu nuk është i vetmi. Të tillë janë shumica e politikanëve të Kosovës. Rasti i ish-kryetarit kushtetutëshkelës është më specifik, pasi që ai po përpiqet që përmes intervistave bizare dhe përmes organizimit të rebelimit të trilluar nëpër degë të LDK-së të luhatë pozitën e Isa Mustafës. Edhe pse Kuvendi i LDK-së, me propozim të Mustafës, e zgjodhi Fatmir Sejdiun kryetar nderi të partisë, ai me sjelljet e tij po tregon se është një kryetar i pandershëm. Pikësëpari ai nuk e respekton vendimin demokratik të Kuvendit të LDK-së për zgjedhjen e Mustafës kryetar. LDK mund të kishte një kryetar edhe më aktiv se Mustafa, por derisa ky është i zgjedhur nga Kuvendi me mandat të plotë, gjithsesi duhet të respektohet. Por, a mund të pritet respekt për procedura demokratike brendapartiake nga një profesor i drejtësisë që e ka shkelur Kusht

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›