E Shtunë, 31 Tetor 2026

Programi i Ramës, si qitapi i Cekes

01-11-2011 / Redaksionale

Duke folur në mbledhjen djeshme të grupit të PS-së, Rama befas është shprehur optimist se “kemi gati programin për të qeverisur vendin”. Po aq befas ai na kujtoi diçka të paharrueshme: kinse programin 1000 mijë faqe të 2009. Po, po gjatë zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009, Partia Socialiste deklaronte me buje  se kishte përpiluar një program të bollshëm prej 100 faqesh që do t’i jepnin “dum”, sikur të ishte qitapi magjik, të gjitha problemeve të Shqipërisë dhe për këtë garant ishte vetë Edi Rama. Mirëpo qitapi i trashë prej 1000 faqesh nuk ish nxirë nga shkronjat e plumbit të  zi në asnjë cep të saj. Edi Rama kishte gënjyer në sytë e botës dhe të tijve teksa veçan u thoshte, “programi jam unë”, prandaj nuk ka nevojë për gjë tjetër. E pabesueshme, por e vërtetë, askujt nuk do t’i shkonte në mendje, që 2 muaj para fushatës (të 2009) se kur Edi Rama u paraqit në një emision televiziv me dy dosje të mëdha e të kapura letrash, për të cilat tha se ishin programi “1 mijë faqësh”, në fakt ishin të bardha. Deputetët socialistë në debatet televizive ulnin sytë kur deputetët e maxhorancës i pyesnin, “ç’propozim ka PS-ja?”.
Sakaq as pas prezantimit me bujë në Kongresin e 2009 dhe as pas lançimit të këngës himn të fushatës “çohu”, askush nuk publikoi qoftë edhe pak rreshta nga ato që PS, nëse do të vinte në pushtet, do të bënte për shqiptarët. Sot dy vjet më vonë historia përsëritet. I njëjti qitap, me kapakët e rinj fringo, ku shkruhet “kurs i ri”.
Megjithatë pas Humbjes së Madhe parlamentare, deputeti i Korçës, Ben Blushi i atëhershëm me mendim ndryshe do të thoshte “Ne nuk u dhamë shqiptarëve asnjë premtim, sepse nuk i dhamë asnjë program”. Kjo ishte në të vërtetë dëshmia e parë konkrete e një “mashtrimi 1 mijë faqësh”. Ai i mëshonte faktin se “dikush thotë se ne kishim një program me 1000 faqe, por unë duhet të pohoj sot se nuk kam parë asnjë faqe të këtij programi. Aq më pak, shqiptarët nuk kuptuan dot se çfarë do bëjmë ne për ekonominë, çfarë do bëjmë për taksat, si do ta ulim papunësinë, si do shpërndajmë të ardhurat e këtij vendi...”, - deklaronte në Asamblenë Kombëtare Blushi. Më pas, jo vetëm Blushi, por edhe mjaft persona të tjerë me pozita të larta në krye të PS-së, pranuan se ata as që kishin lexuar qoftë edhe një faqe nga programi “1 mijë faqësh”, që edhe tani, 2 vjet pas zgjedhjeve parlamentare, mbetet po aq i mistershëm dhe intrigues sa përrallat e “1001 netëve”.
Gjithsesi justifikimi i Ramës se askush nuk do ta lexonte një program aq të gjatë nga një anë duket se ka qenë i drejtë, pasi 1 mijë faqe të japin vetëm idenë e një libri pa ide të mirëfillta dhe të qarta dhe ndoshta të palexueshëm.
Sidoqoftë si publicisti, Edi Rama po ashtu dhe shkrimtari Ben Blushi kanë nxirë ca faqe të bardha, por janë publicistikë dhe jo platforma politike. Sigurisht programi i ri i Ramës është një tjetër bllof mediatik për t’u hedhur hi syve gazetarëve dhe militantëve. Programi i kursit të ri është një bllof politik që PS-ja paraqet për të fshehur kundërthëniet strukturale që ka brenda saj. Parashtrimi “kurs i ri” ishte një narkotizues për mendimin ndryshe që ka filluar të lëvizë me liderin e saj të ri, Arben Malaj.  Islami dhe Harasani kanë dalë hapur kundër drejtimin pa vizion të Ramës, i cili pritet t’i godasë përgjatë Kongresit socialiste të 5 (ose 8) nëntorit. Megjithatë Rama është ende i fortë brenda Partisë, por e njëjta gjë s’mund të thuhet jashtë saj. Rënia e besueshmërisë si brenda dhe jashtë vendit janë të atij lloji saqë është shumë e vështirë të rikuperohet për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të pas dy viteve.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›