Kryetarja e AMA-s në Turqi, në konferencën ndërkombëtare “Përfaqësimi i grave në media”

TIRANË, 3 mars/ATSH/ Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi mori pjesë në konferencën e organizuar nga rregullatori turk, RTUK, “Përfaqësimi i grave në media”.
Krasniqi përshëndeti këtë konferencë ndërkombëtare, përkrah presidentit të RTUK, Ebubekir Sahin, kryetares së Komisionit për Mundësi të Barabarta për Gratë dhe Burrat në Asamblenë e Madhe Kombëtare Turke, Çigdem Erdogan Atabek dhe anëtares së Këshillit të Lartë të Televizionit dhe Radios së Republikës Turke, drejtuese e këtij projekti, Deniz Guçer.
“Diskutimi mbi binomin Gruaja & Media, qoftë si profesioniste, qoftë në pjesëmarrjen si eksperte, qoftë edhe në mënyrën sesi media e trajton gruan është kompleks dhe një diskutim i përbotshëm”, shkruan Krasniqi në një postim në rrjetet sociale.
Krasniqi u shpreh se “në peizazhin mediatik, mjaft dinamik, shqiptar, përfaqësimi gjinor në media është i balancuar. Të dhënat që dalin çdo vit nga Buletini Periodik i AMA-s, që përmbledh dhe analizon informacionin kryesor mbi zhvillimet në tregun audioviziv në Shqipëri, gratë janë të pranishme në media në nivele të kënaqshme”.
“Megjithatë, nëse diskutimi zgjerohet më tej, mund të thuhet që, jo vetëm zhvillimi i teknologjisë është shoqëruar me shqetësime të kësaj natyre, por edhe vetë media ka plot probleme për të cilat vlen të diskutohen, kur vjen puna tek trajtimi i grave”, tha Krasniqi.
Krasniqi i cilësoi si shumë interesante gjetjet e trajtuara në këtë konferencë dhe temat e aktualitetit, të diskutuara.
“Niveli i lartë i pjesëmarrësve tregon rëndësinë që i kushtohet kësaj teme, fort të diskutueshme në çdo kohë”, tha Krasniqi.
1 nga 11/k.s/r.e/a.f/