Turizmi në Lezhë, Ndreu: 80% e territorit të plazheve publik, 20 arkitektë të huaj po dizenjojnë resorte

TIRANË, 3 mars/ATSH/ Kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu u shpreh sot gjatë një interviste për emisionin e mëngjesit në RTSH, se prej disa vitesh, Lezha ka përparuar në krahasim me qytetet e tjera në mënyrën e organizimit gjatë sezonit turistik.
“Jemi i pari territor bregdeti që kemi ndërtuar një sistem pastrimi, ku për tre vjet rresht jemi shpallur më të mirët. Menaxhimi i turizmit ka dhënë efekte të jashtëzakonshme, duke vendosur disa gjëra në vendin e vet, duke i pastruar, rregulluar dhe duke krijuar një klimë tjetër. Në një vend këndi i lojërave, në një vend tregu, një vend plazhi, ia kemi arritur të ndërtojmë një histori ndryshe”, tha Ndreu, i cili shtoi se sigurisht që ka akoma probleme, por angazhimi i bashkisë është që të punohet maksimalisht në çdo sektor.
“Sivjet çojmë ujin e pijshëm në Shëngjin, shumë shpejt do të ndërtohet bajpasi i Shëngjinit, është hapur thirrja për rrugën Milot-Balldren, që e çliron Lezhën nga trafiku mbytës dhe po ndërtojmë edhe rrugën Hidrovor-Tale, ku i jepet një tjetër frymë plazhit të Tales. Historia pas tre viteve do jetë krejt tjetër, ne kemi plazhin, por dhe lagunën Kune Vain, që është një perlë, kemi ndryshuar një histori atje. Pastaj vijnë objektet historike të Lezhës: kalanë, vendvarrimin e Skënderbeut, muret e lashta, ka dhe bustin. Tashmë është edhe Shtëpia e Fishtës, që po ndërtohet nga Ministria e Kulturës, kemi një grup kishash të vjetra të shek. 11, 12, 13 ku po punohet, është afresku i “Darkës së fundit” të Jezu Krishtit që mendohet që është 200 vjet para se ta pikturonte Da Vinçi dhe gjendet në Shqipëri dhe kjo është risi, kemi një zonë me artizanë të jashtëzakonshëm. Qershia mbi tortë është kulinaria, jemi në top listë, sepse kemi të alternuar peshkun me mishin, disa restorante kanë marrë përmasa ndërkombëtare”, pohoi Ndreu.
Sa i takon turizmit në Lezhë, Ndreu theksoi se “përveç hoteleve nuk ka operatorë të tjerë, përjashto një pjesë që kanë kontrata pesëvjeçare, pra 80% e territorit të plazhit do të jetë publik”.
“Në Shëngjin kemi 20 arkitektë të huaj që po dizenjojnë resorte të niveleve bashkëkohore dhe janë projekte që po vendosen mbi një lloj standardi”, shtoi ai.
/r.e/a.f/