Kryetarja e Bordit të Transparency International Labelle shpreh vlerësimet pozitive për sukseset e arritura nga Shqipëria në luftën kundër korrupsionit
- Kryeministri Berisha shprehu gatishmërinë dhe vendosmërinë e qeverisë për të ndërmarrë çdo hap të nevojshëm që ky fenomen të luftohet me efikasitet.
Kryeministri Berisha,në përfundim të takimeve të tij në Davos,ku mori pjesë në Forumin Ekonomik Botëror, zhvilloi një takim të përzemërt me Kryetaren e Bordit të Transparency International, zonjën Huguette Labelle.
Kryeministri Berisha e njohu zonjën Labelle me luftën e vendosur të ndërmarrë nga qeveria shqiptare kundër korrupsionit në çdo hallkë, duke vënë theksin veçanërisht në reformat e ndërmarra për dixhitalizimin e shërbimeve për regjistrimin e biznesit, prokurimet publike, në tatime dhe dogana, si dhe reduktimin e lejeve dhe licencave.
Kryeministri Berisha shprehu gatishmërinë dhe vendosmërinë e qeverisë për të ndërmarrë çdo hap të nevojshëm që ky fenomen të luftohet me efikasitet, duke qenë një prioritet i qeverisë shqiptare.
Zonja Labelle shprehu vlerësimet pozitive për sukseset e arritura nga Shqipëria në luftën kundër korrupsionit dhe ofroi mbështetjen e saj dhe të Transparency International për vazhdimin me sukses të kësaj lufte.
Kryeministri Berisha e njohu zonjën Labelle edhe me projektet e mëtejshme të qeverisë shqiptare në këtë drejtim, duke kërkuar ndihmën dhe mbështetjen e saj dhe të këtij institucioni, sikundër mori nga zonja Labelle garanci se Transparency International, si institucioni më prestigjioz dhe i specializuar në procesin e vështirë të luftës kundër korrupsionit, do të studiojë dhe parashikojë rrugë e mjetet ë tjera për të shndërruar kështu vullnetin e Kryeministrit dhe qeverisë shqiptare për tolerancë zero kundër korrupsionit, në një paketë reformash të mëtejshme në këtë drejtim.
01/02/2009