Kryetarja e Gjykatës së Lartë: Nuk e përballojmë dot ngarkesën, janë 9198 çështje të mbartura
Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, duke folur në një konferencë ndërkombëtare për reformën në Gjykatën e Lartë, tha se gjykata është e ngarkuar me dosje në shifra alarmante. Vetëm 17 anëtarë duhet të përballojnë mijëra dosje çdo vit. Ajo tha se janë mbi 9 mijë dosje të mbartura nga më parë.
Aktualisht Gjykata e Lartë është tejet e mbingarkuar me një numër të konsiderueshëm çështjes civile dhe penale, të cilat janë mbartur vit pas viti dhe presin shqyrtimin e tyre në përputhje me ligjin. Për ilustrim të kësaj gjendje alarmante, ju bëj me dije se në fund të vitit 2011 volumi i çështjeve të mbartura nga vitet e mëparshme ka qenë 9198 çështje, afërsisht sa 3.5 fishi i mesatares shumë vjeçare të volumit të punës të kësaj gjykate. Kjo gjendje është krijuar për shkak të një sërë faktorëve të cilët kanë ndikuar negativisht në mbarëvajtjen e punës së saj. Së pari: Struktura e trupës gjyqësore të Gjykatës së Lartë e përbërë nga 17 anëtarë dhe organizimi i saj me dy kolegje (atë civil dhe penal) sipas ligjit ekzistues, përbën (tregon) një pamundësi njerëzore për të përballuar normalisht dhe evaduar këtë mbingarkesë të çështjeve. Së dyti: Mosplotësimi për një periudhë të gjatë kohe dhe jo në kohën e duhur të vendeve vakant të anëtarëve të Gjykatës së Lartë që u kishte mbaruar mandati, dhe, Së treti: për shkak të mangësive të dispozitave përkatëse të Kodeve të Procedurave Civile dhe Penale, të cilat mbeten gjithsesi shumë të përgjithshme, për rrjedhoje nuk ka asnjë kufizim në çështjet që vijnë me rekurs para kësaj gjykate, tha Beçaj.
Ajo kërkoi të saktësohet me ligj statusi i gjyqtarit, ndërkohë që kërkoi po ashtu rritjen e pagave të tyre.
Garancitë e pavarësisë jepen nga norma që përkufizojnë një gamë shumë të gjerë aspektesh që lidhen me ndarjen e pushteteve; statusin e gjykatësit dhe të trupës gjyqësore; nga modalitetet e emërimit (përzgjedhjes) së gjyqtarit të Gjykatës së Lartë nga themele apolitike, duke detajuar kriteret që duhet të plotësojë deri te përparimi në karriere; përcaktimi në mënyrë të qartë i riemërimit dhe procedurës së riemërimit pas mbarimit të mandatit 9-vjeçar; nga organizimi efikas dhe trajtimi financiar i sigurt dhe dinjitoz, nga vetëqeverisja dhe vetëadministrimi i gjyqësorit. Për këtë arsye gjyqtarit dhe trupës gjyqësore të Gjykatës së Lartë nëpërmjet ndryshimeve në ligj duhet ti sigurohen ligjërisht garancitë institucionale të pavarësisë, si një kusht i domosdoshëm për të qenë vërtetë të pavarur nga pushtetet e tjera, njëkohësisht të gëzojnë një pavarësi dhe integritet brenda sistemit gjyqësor, duke saktësuar në mënyrë serioze dhe në përputhje me dinjitetin që i takon statusin e tij, e të gjitha këto vetëm për një qëllim: për të siguruar efektshmerine e funksionit juridiksional të tij në dhënien e drejtësisë, tha Beçaj.