Shqipëria do marrë pjesë në zgjidhjen e krizave nga BE!
Delegacionet e BE-së që kanë ardhur në Shqipëri gjatë këtyre viteve për zgjidhjen e krizave politike, kanë qenë të pafundme. Dhe, vazhdojnë sërish, duke kërkuar dialog, konsensus, reforma. Gjëra që i kërkojnë prej 20 vitesh, por që Shqipëria nuk i ka përmbushur ende.
E pavarësisht kësaj, Shqipëria tashmë do të ketë mundësinë që të marrë pjesë në delegacionet e BE-së, për menaxhimin dhe zgjidhjen e krizave në vendet e tjera, pavarësisht se nuk ka zgjidhur ende krizat e saj, siç janë zgjidhja e një presidenti konsensual, reforma zgjedhore dhe ajo parlamentare etj.
Sipas Ministrisë së Jashtme, Shqipëria do të jetë pjesëmarrëse në operacionet e menaxhimit të krizave të udhëhequra nga BE. Ky vendim është arritur gjatë marrëveshjes që ka firmosur Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, dhe Pierre Vimont sekretar i përgjithshëm ekzekutiv i Shërbimit të Jashtëm Europian.
Ministri Haxhinasto e ka konsideruar këtë marrëveshje si një hap konkret të Shqipërisë në politikën e jashtme dhe sigurisë së BE.
Nga ana e tij, Vimont ka vlerësuar angazhimin e vazhdueshëm të vendit tonë në pjesëmarrjen e operacioneve të drejtuara nga BE në Bosnje-Hercegovinë, Çad dhe Afrikën Qëndrore dhe vlerësoi në veçanti qasjen konstruktive të Shqipërisë në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë.