E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryetarja e Kuvendit: Premtimet që ne bëmë u kthyen në realitet, realitete që preken, shihen, admirohen.Në çdo komunë ne dhjetëfishuam investimet.

  Postriba vendi ku për herë të parë nisi rezistenca antikomuniste në Europë, ishte sot ndalesa e Kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli në vijim të takimeve NATO, ne ja dolëm. Si askush dhe askund tjetër në Shqipëri, postribasit e ndiejnë më së shumti mrekullinë dhe sublimitetin e anëtarësimit në NATO, pasi në këtë komunë, me dhjetra burra e gra u pushkatuan, u burgosën dhe u persekutuan nga një prej regjimeve më të egra të njerëzimit, komunizmit. Në një atmosferë mikpritëse e entuziaste, postribasit shprehën kënaqësinë e veçantë që Kryetarja e Kuvendit erdhi për të ndarë me ta gëzimin e kësaj ngjarjeje të madhe historike.
Postribasit në emër të vlerave të lirisë dhe demokracisë sakrifikuan shumë që Shqipëria të arrinte këto ditë, kur fjala e saj të jetë e barabartë më atë të aleatëve strategjikë të politikës, sigurisë dhe ekonomisë globale. Ata i shprehën Kryetares së Kuvendit mirënjohjen që me Shqipërinë në NATO ata ndihen më dinjitozë, më të respektuar dhe në anën e drejtë të historisë. Kryetarja e Kuvendit tha se Shqipëria në NATO është një premtim i tejkaluar, sepse katër vite më parë Kryeministri Berisha kishte premtuar marrjen e ftesës në NATO.Ne kemi tejkaluar këtë premtim, për një arsye të thjeshtë, sepse Qeveria dhe maxhoranca e sotme është serioze me çdo qytetar u shpreh Kryetarja e Kuvendit.
Premtimet që ne bëmë gjatë fushatës elektorale në fund të katërvjeçarit kthehen në realitet. Realitete që preken, shihen, admirohen. Kryetarja e Kuvendit duke shprehur emocionet e veçanta për këtë takim tha se momumenti ku postribasit janë mbledhur sot për të festuar është simbolika e NATO-s, e qëndresës, e besimit, simbolika e një populli që nuk i ka munguar kurrë vokacioni për perëndimin. Është simbolika e NATO-s, sepse kjo aleancë e madhe, unike në botë, lindi pikërisht për tiu kundërvënë kërcënimit të komunizmit.
Ky monument këtu në komunën tuaj është modeli, shembulli, integriteti i një populli që më parë se të tjerët e kuptoi dhe u çua kundër komunizmit, jo vetëm në Shkodër, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë Europën.
Ndaj dhe nuk mund të rrija pa ardhur këtu gjatë këtyre ditëve. Ata burra dhe ato gra që nuk patën frikë, nuk u përkulën, nuk u dorëzuan, nuk u trembën në vitin 1946, përkundrazi dhanë jetën, sakrifikuan, bënë vite të pafundme në burgje, internime, për një vokacion që këtij populli nuk i ka munguar kurrë për perëndimin, për lirinë, për demokracinë, për vlerat dhe liritë individuale që sot ne i gëzojmë. Duke vlerësuar besimin që banorët e Postribës i kanë dhënë dhe i japin reformave të maxhorancës së djathtë, Kryetarja e Kuvendit shprehu bindjen se ata dhe të gjithë shqiptarët do të vazhdojnë të mbështësin projektin e zhvillimeve të mëdha ekonomike, projektin e madh të Shqipërisë që po ndryshon. Ju në përgjithësi jeni qytetarë me një nerv të madh politik, ndiqni çdo gjë që ndodh dhe ndjekësve më të mirë të politikës unë do tu bëja një pyetje: A mbani mend gjatë gjithë dialogut të Edi Ramës në Shqipëri apo nga inciklikat e Edi Ramës, mbani mend ju të ketë thënë ndonjë koncept, një frazë, të ketë dhënë një ide, të ketë thënë një fjalë që ka mbetur në mendjen tuaj? Dhe a dini pse nuk mbani mend asnjë frazë? Sepse ai nuk ka asnjë koncept dhe asnjë ide. Me përjashtim të një koncepti, të konceptit të lejeve të ndërtimit. Gjatë vizitës në Postribë Kryetarja e Kuvendit, u njoh me investimet e konsiderueshme që janë kryer dhe po vazhdojnë në këtë komunë, si rikostruksioni i qendrës së komunës, rikonstruksioni në rrugën e Kalasë së Drishtit, Kodër-Vorpsit, ndërtimi i ujësjellësit të Vorpsit etj. Kudo që kam shkuar unë kam parë se investimet janë pesëfish-dhjetëfish më shumë sesa në periudhën tjetër. Ndërsa në komunën tuaj e kam të vështirë të bëj llogaritë, sepse në periudhën tjetër kishte zero investime. Partia Socialiste gjatë qeverisjes së saj nuk ka dhënë as 1 milion lekë për komunën e Postribës. Tani investimet janë 2 milionë dollarë
Unë këtu premtoj se këto projekte që ju keni filluar, parashikuar për vitin 2009, Sali Berisha do ti plotësojë, do ti realizojë dhe në fund të vitit të parë të mandatit të ardhshëm, ato do të kthehen në një realitet të prekshëm - tha Kryetarja e Kuvendit. Në Postribë , Kryetarja e Kuvendit konfirmoi sërish se mazhoranca e djathtë në fundin e vitit të parë të mandatit të ardhshëm do të bëjë të mundur që qytetarët shqiptarë të lëvizin pa viza. Në vijim të takimeve, Kryetarja e Kuvendit ishte sot dhe në komunën e Grudës dhe Guri Zi, ku ajo shprehu mirënjohjen për mbështetjen që banorët e këtyre komunave u japin reformave për ndryshim Këto katër vite kanë qenë periudhë e sfidave të mëdha, periudhë e vështirë e reformave të paimagjinueshme, por edhe e sukseseve të mëdha, e rezultateve të shkëlqyeshme, periudha që e ktheu Shqipërinë në një imazh tjetër, e bëri më të nderuar, më të respektuar, si të gjitha vendet europiane dhe më përtej - u shpreh Kryetarja e Kuvendit. Në bisedat me banorët dhe drejtuesit e komunave, u vlerësuan ndryshimet e thella në infrastrukturë që kanë përmirësuar ndjeshëm jetën e komunitetit.
Vetëm në tri vitet e fundit në Grudë dhe Guri i Zi janë investuar rreth 5 miliardë lekë për rikonstruksion aksesh rrugorë, ndërtim shkollash, laboratorë kompjuterikë, ujësjellësa, rehabilitim qendrash shëndetësore etj. Kryetarja e Kuvendit u premtoi banorëve se në mandatin e ardhshëm do të ketë më shumë investime sesa nga këto që janë realizuar.
Më tej ajo u shpreh: Unë si politikane jam e detyruar të ndjek edhe kundërshtarin, çdo gjë që ai thotë. Unë nga Komuna e Grudës, i them kryetarit të Bashkisë së Tiranës, i cili u shpreh se ata që marrin ndihmë sociale, ndihma nga shteti, janë parazitë dhe nuk do ua jap më. E para, nuk do të votojnë ty.
E dyta, Partia Demokratike nuk të lejon ty, që për ata njerëz që kanë nevojë, të mos marrin ndihmë sociale, sepse ai e di mirë se e ka rrogën 1 milion e gjysmë shtoi edhe 15 përqindëshat e lejeve të ndërtimit. As e çoj nëpërmend që kryetari i bashkisë të mos e japë ndihmën sociale për familjet që janë në nevojë, që kanë probleme shëndetësore dhe kjo mbështetje e shtetit do të shumëfishohet në mandatin e ardhshëm.
Kryetarja e Kuvendit tha se në mandatin e ardhshëm maxhoranca e djathtë do të thellojë luftën kundër varfërisë dhe do të vazhdojë më rritjen e pagave dhe pensioneve. Prioriteti ynë në mandatin e ardhshëm është që të pasurit jo të pasurohen, por të varfërit të dalin nga varfëria, duke bërë të mundur rritjen e rrogave dhe pensioneve- u shpreh Kryetarja e Kuvendit.    
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›