Kryetarja e Kuvendit, Spiropali vlerëson kontributin e bektashinjve për atdhetarizmin tolerancën dhe paqen

Kryetarja e Kuvendit, znj. Elisa Spiropali, nëpërmjet një mesazhi në rrjetet sociale ka vlerësuar kontributin e bektashinjve për atdhetarizmin, bashkimin, tolerancën dhe paqen.
“95 vite më parë, Shqipëria u bë shtëpia e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. Përgjatë nëntë dekadave e gjysmë, vendi ynë ka mbështetur dhe lehtësuar rrugëtimin e gjatë të Bektashizmit, duke vlerësuar kontributin e bektashinjve për paqen, tolerancën, miqësinë dhe mirëkuptimin mes njerëzve dhe popujve. Si “një urë mes tokës dhe qiellit”, bektashinjtë shqiptarë janë dalluar për kultivimin e vlerave të atdhetarizmit, dashurisë dhe tolerancës, për mbrojtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar, duke u shndërruar në një faktor të rëndësishëm të bashkimit të shqiptarëve.” , shkruan znj. Spiropali.
Kryetarja e Kuvendit, znj. Elisa Spiropali ishte e pranishme edhe në veprimtarinë “Kryegjyshata Botërore Bektashiane, 95 vjet në Shqipëri”, zhvilluar sot në Pallatin e Kulturës në Tiranë.
/rtsh.al/