E Hënë, 2 Nëntor 2026

Turizmi gastronomik, kuzhinierë dhe aktorë të hoteleri-turizmit mblidhen në Lezhë

Shoqata e Kuzhinierëve Shqiptarë mblodhi bashkë në Troshan të Lezhës kuzhinierë të njohur dhe aktorë të hoteleri-turizmit nga i gjithë vendi.

Në fokus ishte shkëmbimi i eksperiencave dhe bashkëveprimi i tyre në fushën e gastronomisë dhe hoteleri-turizmit.

“Njerëzit e kanë produktin të sigurt. Ne jemi mbi 80 për qind të qetë, sepse produktet i kemi të kontrolluara,” tha kuzhinieri Fatmir Ndoj.

“Këto takime janë shumë frytdhënëse për të njohur njëri-tjetrin, gjithë sipërmarrësit në fushën e turizmit,” u shpreh Fatmir Laçi i Shoqatës Bujtinat Shqiptare.

“Në Lezhë është bërë si i modës tani takimi i shefave të kuzhinës,” tregoi kuzhinieri Ndrek Berisha.

E njohur si mbretëresha e kulinarisë shqiptare, ky sektor po njeh gjithnjë e më shumë zhvillim në Lezhë.

20 deri në 300 mijë persona në vit e vizitojnë këtë rajon vetëm për turizmin gastronomik, ndërsa promovimi i gjithë zonës së veriut do të vijojë edhe në Australi, Kanada dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në mbrëmjen e organizuar, Shoqata e Kuzhiniereve Shqiptarë festoi edhe 8-vjetorin e krijimit të saj, ku me këtë rast vlerësoi me titullin “Anëtar Nderi” kuzhinierin lezhjan Fatmir Ndoj.

Vlerësimi erdhi për kontributin e vyer dhe angazhimin e vazhdueshëm në promovimin dhe ngritjen e imazhit të gastronomisë shqiptare, duke pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në avancimin e kulturës dhe traditave kulinare të vendit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›