E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryetarja e Kuvendit: "Ta kthejmë në një politikë kombëtare luftën ndaj autizmit.

  Ne duhet të mendojmë që ta kthejmë në një politikë kombëtare luftën ndaj  autizmit. tha sot Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e ftuar në konferencën e dytë ndërkombëtare Autizmi: Nga shkaqet te trajtimi, organizuar nga Fondacioni i Fëmijëve shqiptarë nën drejtimin e zonjës Liri Berisha.   Duke garantuar të gjithë mbështetjen e saj personale dhe të Kuvendit të Shqipërisë për këtë çështje sensitive, jo vetëm për fëmijën dhe familjen,  por për të gjithë shoqërinë, Kryetarja e Kuvendit tha se parlamenti do të angazhohet konkretisht, duke bërë të mundur që në buxhetin e vitit të ardhshëm të parashikohet një fond i veçantë për studimin dhe trajtimin e autizmit.   Në këtë konferencë shumë të rëndësishme, me pjesëmarrjen e ekspertëve të mirënjohur kombëtarë dhe ndërkombëtarë në fushën e autizmit, Kryetarja e Kuvendit, pasi përgëzoi organizatorët për qendrën e ngritur në ndihmë të fëmijëve me autizëm por edhe për sensibilizimin, ndër të tjera tha:    Të flasësh për autizmin, në fakt për mua nuk është e lehtë,  jo vetëm për faktin se unë nuk jam mjeke, por duke dëgjuar shpesh për këtë sëmundje dhe duke u përpjekur për të lexuar se çfarë është, çfarë po ndodh, cila është frekuenca, natyrisht nuk  mund të qëndroja mënjanë dhe indiferente.   Kur kam lexuar se frekuenca e fëmijëve me autizëm është një ndër njëqind fëmijë, kjo na bën të mendojmë se çfarë duhet të bëjmë. Duket sikur jemi në kushtet e Polios të viteve 50 apo të AIDS të viteve 80.   Është diçka jashtëzakonshme që në vitin e kaluar në Amerikë u vendosën pesë bilionë dollarë vetëm për kërkimet biokimike, ndër të cilat 100 milionë dollarë janë vetëm për autizmin. Kjo është forca e fëmijëve, kjo është forca globale për të menduar se cilat do të jenë mënyrat për ta parandaluar dhe më pas për ta luftuar këtë sëmundje.   Në fakt, kjo nuk është vetëm një sfidë për fëmijët që kanë këtë sëmundje, as nuk është një sfidë vetëm për prindërit që qëndrojnë çdo sekondë në 24 orë më fëmijën e tyre të cilët kanë botën e tyre të veçantë, që nuk pranojnë ndoshta tu japësh konfort dhe nuk e marrin këtë konfort që ti përpiqesh për tu ofruar.   Natyrisht një dashuri e jashtëzakonshme, një përkushtim tërësor dhe një durim i pamatshëm është ai që secila nënë, secili prind duhet të ofrojë, por ne si shoqëri nuk duhet të lëmë që këta prindër ta trajtojnë dhe të përballen me këtë sfidë të vetëm. Ne nuk duhet të lëjojmë kurrë që të lëmë për të gjithë Shqipërinë vetëm qendrën e ngritur të parën në Tiranë që është e shkëlqyeshme, apo të dytën që do të bëhet në Farkë.   Ne duhet të mendojmë që ta kthejmë në një politikë kombëtare luftën kundër autizmit. Në fakt frekuencat e saj flasin se po merr përmasa të mëdha duke kapërcyer të gjithë format e kancerit të marra së bashku. Detyra jonë është ti përgjigjemi atyre pyetjeve që secila nënë bën kur sheh fëmijën e saj  që nuk reagon ashtu siç do mendohej.   Pyetja  e parë është pse, e dyta cili është shkaku, e treta, çfarë do bëjmë, cfarë shërbimesh do ti sjellim, a ka kurë dhe cila është ajo? Për të gjitha këto pyetje, numri i përgjigjeve është shumë i pakët. Ndaj dhe në botë kërkohet që shkenca të japë përgjigje.   Ndaj dhe çdo nënë, çdo prind, shoqëria kërkon që të gjej përgjigje dhe unë mendoj, se përsa i takon shoqërisë ne duhet të mendojmë për  një politikë kombëtare të luftës kundër autizmit dhe unë mund tju them këtu, në emër të Kuvendit të Shqipërisë që në buxhetin e vitit të ardhshëm, së bashku me deputetë të tjerë ne do vendosim një fond të veçantë jo vetëm për të menduar se çfarë do të bëjmë në kërkimet tona, shërmbimet  tona për këtë sëmundje, por dhe ti japim asistencë nënave që ti qëndrojnë afër dhe të kujtohen më shpejt për ta kapur këtë sëmundje, sepse ata fëmijë kanë një botë  të tyre, të cilën ne duhet ta kuptojmë dhe detyra jonë dhe e shkencës kryesisht është që të thyejmë dhe të rrëzojmë murin e moskomunikimit.
   
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›