Kryeministri Berisha i shpreh ngushëllimet familjes së shkrimtarit të njohur Dhimitër Xhuvani
Kryeministri Berisha i shprehu sot në mbrëmje ngushëllime familjes së shkrimtarit të njohur Dhimitër Xhuvani, i cili u nda sot nga jeta. Kryeministri Berisha e cilësoi Dhimitër Xhuvanin një ndër krijuesit më të fuqishëm të letërsisë shqipe, i admiruar po ashtu për mirësinë, intelektualizmin dhe qytetarinë e tij.
“Letrat shqiptare, - tha Kryeministri Berisha - humbin një prej princërve të tyre më të shquar, një nga krijuesit më të fuqishëm të letërsisë shqipe. Bota intelektuale humbet intelektualin e madh. Dhimitër Xhuvani është një personalitet i rrallë në botën e letrave dhe të mendimit shqiptar, i cili sintetizoi, ndofta më mirë se kushdo tjetër, krijuesin e shquar e të talentuar me qytetarin me integritet të lartë moral dhe njerëzor. Kushdo që e ka njohur e ka admiruar për romanet e tij, por ata që e kanë njohur nga afër e kanë admiruar po kaq për njerëzinë, mirësinë, intelektualizmin dhe qytetarinë që ai rrezatonte. Ai lë një emër të madh, lë një boshllëk të madh.”
19/10/2009