E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryetarja e Kuvendit takon Ministrin e Jashtëm të Turqisë, Ahmet Davutoglu.

    Turqia është e interesuar për dinamizim të bashkëpunimit parlamentar me Shqipërinë, pasi Parlamenti është shpirti i një kombi, tha sot Ministri i Jashtëm i Turqisë, Ahmet Davutoglu në takimin me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli.   Ministri Davutoglu i përcolli Kryetares së Kuvendit përshëndetjet e përzemërta nga Kryetari i Asamblesë së Turqisë, Mehmet Ali Sahin duke shtuar se marrëdhëniet historike mes dy vendeve kanë njohur gjithnjë e më shumë rritje dhe tashmë fokusi do të jetë bashkëpunimi dhe integrimi ekonomik.   Duke vlerësuar si shumë domethënëse mbështetjen e Turqisë, veçanërisht në partneritetin në NATO, Kryetarja e Kuvendit tha se bashkëpunimi ndërparlamentar  ka nisur të marrë një dimension të ri, duke e bërë diplomacinë parlamentare komplementare të diplomacisë ekonomike.   Vetëm në katër vitet e fundit shkëmbimet ekonomike me Turqinë janë katërfishuar dhe Kryetarja e Kuvendit shprehu besimin në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik në infrastrukturë, telekomunikacion dhe gaz, por edhe në arsim e kulturë, ndërsa Ministri Davutoglu shprehu interesin e Turqisë për të nxitur më tej rritjen e numrit të investimeve turke në Shqipëri.   Ministri Davutoglu vlerësoi vizitën e Kryetares së Kuvendit në Turqi dhe të Kryetarit të Asamblesë turke në Shqipëri si një nxitje për konkretizimin e bashkëpunimit dypalësh. Ai nënvizoi se atmosfera miqësore mes dy vendeve, numri i madh i qytetarëve turq,  por edhe i një numri deputetësh me origjinë shqiptare në parlamentitn turk ka ndikuar në forcimin e marrëdhieneve mes dy vendeve.   Duke u ndalur në politikën rajonale, Kryetarja e Kuvendit vlerësoi mbështetjen e jashtëzakonshme të Turqisë për njohjen e pavarësisë së Kosovës, ndërsa Ministri Davutoglu theksoi se Turqia ka në prioritete të politikës së saj të jashtme vijimin e  mbështetjes për rritjen e numrit të vendeve që njohin shtetin e ri të Kosovës.   Duke shprehur kënaqësinë për nivelin e shkëlqyer të bashkëpunimit parlamentar, Kryetarja e Kuvendit tha se mirëpret në një vizitë të afërt Kryetarin e Asamblesë turke, ndërsa shprehu bindjen në thellimin e  bashkëpunimit konkret edhe mes komisioneve të jashtëm dhe komisioneve të tjera reciproke.
                                                       
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›