Kryetarja e Kuvendit pret ambasadorin e ri të Izraelit në Shqipëri, David Cohen.
Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli priti sot ambasadorin e ri të Izraelit në vendin tonë David Cohen, shoqëruar dhe nga zonja e tij.
Kryetarja e Kuvendit shprehu kënaqësinë e veçantë për takimin me ambasadorin izraelit, vend me të cilin, Shqipërinë e lidh një histori guximi dhe krenarie, ajo e mbrojtjes së një komuniteti hebrejsh nga rregjimi nazist, gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Ambasadori Cohen vlerësoi veçanërisht qëndrimin kurajoz të shqiptarëve, duke shfaqur interesimin për mbledhjen e mëtejshme dokumentave të kohës nga arkivi shqiptar, për ti paraqitur ato në Izrael e më gjerë.
Kryetarja e Kuvendit nënvizoi faktin se jo vetëm shqiptarët, por dhe qëndrimi politik I qeverisë së atëhershme, ishte në mbrojtje të hebrejve.
Më tej biseda u përqëndrua në marëdhëniet ndërparlamentare mes dy vendeve. Ambasadori izraelit theksoi se gjatë misionit të tij, do të ketë prioritet të axhendës së tij diplomatike, rritjen e shkëmbimeve parlamentare dhe vizitave të ndërsjellta të deputetëve mes Shqipërisë dhe Izraelit.
Kryetarja e Kuvendit dhe ambasadori Cohen folën dhe për forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në fusha të ndryshme të zhvillimit kryesisht në arsim, edukim dhe kulturë.