Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik zhvillon seancë dëgjimore për rastet e dhunës në ndeshjet e futbollit
Më datë 4 shkurt 2010, Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, duke marrë shkas nga rastet e dhunës së ushtruar së fundi në ndeshjet e futbollit, zhvilloi një seancë dëgjimore me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
Të ftuarit, pasi vunë në dijeni Komisionin mbi masat e fundit që janë marrë për të vënë nën kontroll situatën, nëpërmjet bashkëpunimit midis MTKRS-së, FSHF-së, Policsë së Shtetit dhe Komisionit Kombëtar Kundër Dhunës në Sport, shtruan një sërë problemesh, duke bërë të qartë kërkesën për domosdoshmërinë e ndryshimeve në kuadrin ligjor që mbulon këtë fushë.
Pas njohjes me situatën, Komisioni, duke vlerësuar bashkëpunimin ndërinstitucional që është arritur ndërmjet të interesuarve, u shpreh i gatshëm të ndihmojë, duke mbështetur ndryshimet ligjore që kërkohen të bëhen në ligjin Për sportin.