E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryevepra e Kadaresë botohet edhe në gjuhën rome

KosovaLive / Kryevepra e shkrimtarit më të madh shqiptar, Ismail Kadare, romani "Gjenerali i ushtrisë së vdekur", nga dita e premte mund të lexohet në gjuhen e tyre, edhe nga qytetarët e komunitetit rom me titull "Mula armadako generalo".


Kjo kryevepër e Kadaresë e përkthyer rrjedhshëm nga gjuhëtari Ibrahim Elshani është promovuar të premten në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës në Prishtinë.


Elshani, i cili dallohet për përkthimin e disa veprave tjera nga gjuha shqipe në gjuhën rome, tha se përkthimi në këtë të fundit është i vështirë për faktin se gjuha romë është e varfër nga leksiku.


"Mula armadako generalo", siç u tha në promovim, është përkthyer dhe botuar nën përkujdesjen e Këshillit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, ndërsa projektin për përkthimin e tij financiarisht e ka mbështetur Ambasada Zvicerane në Kosovë dhe Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur.


Shefi i Zyrës së Këshillit të Helsinkit për të drejtat e njeriut në Prishtinë, Bashkim Hisari, duke folur në këtë promovim, ka thënë se në Kosovë po bëhen përpjekje për të siguruar përmbushjen e plotë të të drejtave të njeriut, posaçërisht ato gjuhësore të komuniteteve pakicë.


"Letërsia dhe kultura në përgjithësi janë fusha që kërkojnë një vëmendje dhe përkushtim prioritar. Këtë shumë mirë e ka kuptuar Ibrahim Elshani, i cili ka përkthyer romanin 'Gjenerali i ushtrisë së vdekur', të shkrimtarit të madh Ismail Kadare, i cili jo vetëm që është i njohur, por edhe i vlerësuar nga kritikët letrarë, për ç'arsye edhe u propozua shumë herë për çmimin Nobel", ka thënë ai.


Ndryshe, Romani "Gjenerali i ushtrisë së vdekur" është kryevepra e Ismail Kadaresë, e cila e ngriti këtë të fundit, në rangun e krijuesve më të mëdhenj të botës. Ky roman është botuar në dhjetëra gjuhë të huaja, ndërsa në Francë është realizuar edhe një film, sipas këtij skenari.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›