E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbardhet vrasja e 15-vjeçarit e ndodhur 11 vjet më parë

Dosja për vdekjen e Ergys Kopshtarit ishte mbyllur për mosidentifikimin e autorit dhe motiveve

SHKODËR - Policia e Shkodrës ka arritur të bëjë zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të një ngjarjeje të vjetër të ndodhur në vitin 1998 në qytetin e Shkodrës, duke shpallur në kërkim autorin e dyshuar të saj. Nga veprimet hetimore të sektorit të luftës kundër krimeve të rënda në drejtorinë e policisë së qarkut Shkodër është arritur të zbardhet e dokumentohet ngjarja e ndodhur më 17 janar 1998 në lagjen "Tom Kola", ku u vra me armë zjarri 15-vjeçari Ergys Kopshtari, lindur e banues në këtë lagje, si dhe u plagosën dy shtetase. Dosja e ngjarjes së ndodhur brenda në një dyqan në këtë lagje ka qenë e pezulluar dhe në bashkëpunim me prokurorinë ajo është rihapur dhe janë bërë hetimet përkatëse. Sipas policisë, autori i vrasjes së 15-vjeçarit dhe plagosjes së motrës së tij Marina Kopshtarit, si dhe shtetëses Mervete Mezini, është 41-vjeçari Nikë A (emri i plotë i të cilit nuk jepet për arsye hetimi), me banim në fshatin Grudë. Sipas policisë, nga veprimet hetimore ka rezultuar se viktima Ergys Kopshtari dhe dy shtetaset e plagosura nuk kanë qenë objekt i sulmit të 41-vjeçarit nga Gruda, në kohën e ngjarjes 30 vjeç, por janë ndodhur rastësisht në dyqanin ku i dyshuari ka qëlluar. Po sipas policisë , Nikë A ka qëlluar në drejtim të shtetasit V.S për motive gjakmarrjeje, por plumbat kanë kapur 15-vjeçarin e ndodhur rastësisht në dyqanin ku ndodhej V.S., si dhe dy shtetaset e plagosura. Lidhur me këtë ngjarje, gjykata e shkallës së parë ka vendosur masën e sigurisë "arrest në burg" për autorin e dyshuar, masë kjo e dhënë në mungesë, ndërsa është bërë shpallja në kërkim e tij. Akuza për 41-vjeçarin nga Gruda është ajo e "vrasjes së dy a më shumë personave", si dhe "armëmbajtje pa leje".

Vihet në pranga hajduti i dyqanit


SHKODËR - Nga komisariati i policisë së Malësisë së Madhe është bërë kapja e personit të shpallur në kërkim, Gjovalin Leka, 18 vjeç, lindur e banues në fshatin Dedaj të komunës së Shkrelit. Ky shtetas ka qenë në kërkim pasi dyshohet të jetë bashkautor i vjedhjes së një dyqani me pjesë këmbimi për automjete, ku vlera e mjeteve të vjedhura kap shumën 200 000 lekë të reja, si dhe një shumë prej 12 000 lekësh të reja që ndodheshin në dyqan. Ngjarja ka ndodhur më 27 janar 2009, dhe sipas policisë, vjedhja dyshohet se është kryer nga Gjovalin Leka dhe Enver Gatili, 50 vjeç, me banim në Fushë-Krujë, i cili është shpallur në kërkim.

Vidhen monitorët e lojërave të fatit


DURRËS - Gjatë natës së kaluar pronarit të një lokali të lojërave të fatit nuk i ka ecur fati si normalisht. Kur ai ka shkuar për të hapur lokalin si zakonisht ka konstatuar se atë e kishin hapur hajdutët para tij dhe se lokali i tij ishte tashme krejtësisht i boshatisur nga monitorët. Si rrjedhojë, Bledar Prizreni ka mbyllur lokalin e shqyer tashmë dhe i është drejtuar policisë. Pasi është bërë kontrolli i plotë i vendngjarjes ku janë marrë shenjat e mbetura nga vjedhësit e lokalit, ka rezultuar se mungonin të gjitha pajisjet e lokalit të vjedhur me thyerje. Policia është vënë në kërkim të autorëve.

Moti i ftohtë, digjet në banesë një shtetas


DURRËS - Një shtetas ka gjetur vdekjen pasi shtëpia e tij ka marrë zjarr. Ngjarja ndodhi dje rreth orës 05:30 të mëngjesit, ndërsa humbi jetën Nazmi Alimetka, banor i lagjes nr.4. Kanë qenë oret e para të mëngjesit të djeshëm kur policia është njoftuar mbi një zjarr që kishte rënë në një banesë pranë stacionit të trenit në qytetin e Durrësit. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur 3 zjarrfikëse që kanë ndërhyrë për të shuar zjarrin. Pasi flakët janë vënë nën kontroll dhe është shpërndarë tymi i shkaktuar nga zjarri, zjarrfikësit kanë konstatuar se në njërën prej dhomave të banesës ishte trupi i të zotit të shtëpisë që s'u kishte bërë ballë flakëve të shumta që kishin rënë në shtëpinë e vet, ku sipas komshinjve, ai jetonte i vetëm. Si shkak i vdekjes, sipas specialistëve, ka qenë djegia e shpejtë e ajrit nga tymrat e shumta që kanë shpërthyer në banesë dhe organizmi i 56-vjeçarit, duke qenë në gjume nuk ka mundur që t'u bëjë ballë gazrave asfiksuese që janë çliruar nga gazi intoksikues që ka mbizoteruar në dhomë. Nazmi Alikmeta, i cili ishte i vetëm në shtëpi kur kanë rënë flakët, ka gjetur vdekjen të premten në mëngjes dhe policia mendon se zjarri ka rënë ngaqë është harruar ndezur soba e gazit për ngrohje. Edhe pse zjarrfikësit kanë ardhur sapo janë lajmëruar nga komshinjtë, për të moshuarin ka qenë shumë vonë. Sipas specialistëve nga djegia është krijuar shumë tym dhe mungesa e oksigjenit në shtëpi ka bërë që i moshuari të asfiksohej dhe të vdiste brenda një kohe të shkurtër, pa e kuptuar rrezikun që i kishte rënë në orët e gjumit të tij të fundit.

------------------------------------------------------------------


Arrestohet, gjykata e liron për mungesë provash


SHKODËR - Gjykata e rrethit Shkodër ka vlerësuar të paligjshëm arrestimin në flagrancë të 47-vjeçarit Mark Bashota, që akuzohej për veprën penale të vënies në qarkullim dhe prodhimit të monedhave të falsifikuara. Togat e zeza kanë vendosur lirimin e menjëhershëm të Bashotës. Sipas arsyetimit të gjykatës, megjithëse ekzistojnë dyshimet për konsumimin e veprës penale, masa e sigurisë e kërkuar nga prokuroria, ajo e arrestit me burg është e paarsyeshme dhe në kundërshtim me konventat ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Në arsyetimin e gjyqtarit Andri Ymeri, prokuroria nuk ka prova bindëse se kartmonedhat euro të gjetura Mark Bashotës janë të falsifikuara dhe aq më tepër nuk ka prova se ato janë prodhuar nga i akuzuari. Gjykata ka shpallur të pavlefshme përgjimet ambientale të bëra nga policia, pasi ato nuk janë bërë me urdhër të prokurorisë. Në këto kushte gjykata ka liruar 47-vjeçarin Mark Bashota, deri në përfundimin e hetimeve ndaj tij. Për siguri, vëllait të të dyshuarit Bashota i është ngrirë një llogari bankare në vlerën 1 milion lekë, deri në përfundim të procesit në ngarkim të Mark Bashotës.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›