E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, OSBE/ODIHR-i dërgon mision vëzhgues

Në Vjenë, Sekretarja e Marrëdhënieve me Jashtë në PS, Arta Dade, mori garancinë për monitorimin e zgjedhjeve


TIRANË- Në Shqipëri pritet që të vijë së shpejti një mision vëzhgues nga OSBE-ja dhe ekspertë të ODIHR-it, për të ndjekur vetë nga afër procesin përgatitor për zgjedhjet. Sekretarja e Marrëdhënieve me Jashtë në PS, Arta Dade, mori dje garancinë për monitorimin e zgjedhjeve, gjatë punimeve të sesionit të 8-të të Asamblesë Parlamentarë të OSBE-së, që mbahet në Vjenë.


Gjatë punimeve të Komisionit të Përgjithshëm për Demokraci, Të Drejtat e Njeriut dhe Çështjet Humanitare, Dade, duke vënë në dukje rolin e rëndësishëm të Partisë Socialiste, si forca kryesore e opozitës në reformën zgjedhore, ngriti shqetësimin lidhur me vonesat e përgatitjeve të procesit zgjedhor, duke e konsideruar këtë proces si shumë të rëndësishëm, për fatin e së ardhmes evropiane të Shqipërisë.


Dade u ndal konkretisht tek vonesat e pajisjes së shtetasve me kartat e identitetit, vonesa që, sipas saj, mund të çojnë në privimin nga e drejta kushtetuese e votimit të zgjedhësve, të cilët nuk kanë një nga dokumentet identifikues të parashikuara në Kodin Zgjedhor.

Gjatë takimeve me përfaqësues të lartë të AP-së së OSBE-së në Vjenë, Dade kërkoi prezencën e një misioni vëzhgues me anëtarë të kësaj Asambleje, për të ndjekur nga afër ecurinë e përgatitjeve për zgjedhjet e përgjithshme të qershorit, si dhe të monitorimit të procesit zgjedhor.


Dade ka takuar Presidentin e AP-së së OSBE-së, Joao Soares, por edhe përfaqësues të presidencës greke të OSBE-së, Drejtorin e ODIHR-it, Janez Lernacic, si dhe delegacionet suedeze dhe daneze. Gjatë takimeve, ajo mori garanci se, shumë shpejt, në Shqipëri do të vijë një mision vëzhgues nga OSBE-ja dhe ekspertë të ODIHR-it, për të ndjekur vetë nga afër përgatitjet për zgjedhjet.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›