Kryqëzata kundër opozitës së re s’ndal dot vendimmarrjen për selinë e re të PD

Këshilli i Ministrave ka miratuar dje procedurën për kalimin e ish-SHQUP-it, një simbol i ushtrisë enveriste e antievropiane në seli të Partisë Demokratike, partia më e madhe e opozitës së re, brenda datës 20 gusht. Kryeministri Sali Berisha denoncon filozofinë armiqësore që Rama po shfaq ndaj opozitës, duke e cilësuar atë si tregues të moralit të shpëlarë që ai ka si njeri
Vendimi/Punonjësit e SHQUP që merren me filmin dhe aktivitetet, do të transferohen në ambientet e reja, një investim i qeverisë prej 140 milionë lekësh
Kryeministri Sali Berisha ka sqaruar vendimin e marrë për kalimin e Shtëpisë Qëndrore të Ushtrisë në selinë e Partisë Demokratike. Sipas tij, vendimi është i drejtë dhe transparent, ndërsa theksoi se godina e SHQUP prej 12 vitesh ka humbur funksionin e saj, duke u shndërruar në shtëpinë e dasmave dhe e ceremonive mortore. “Një çështje shumë e rëndësishme, lidhet me vendimin që kaluam në mbledhjen e kaluar. Brenda pesë minutave, mediat e kontrolluara nga Edi Rama thanë se qeveria e fshehu vendimin. Kjo qeveri nuk fsheh asnjë vendim e asnjë germë. Do të shihni tjetrin, por unë nuk fsheh kurrë. Ka një të vërtetë. Vendimi nuk u zbardh, pasi ishte bërë një gabim. Vendimi për kalimin e SHQUP-it në pronësi të Bashkisë së Tiranës, me destinacion për Partinë Demokratike, nuk mund të vinte në mbledhjen e qeverisë pa u dekretuar nga Presidenti i Republikës dhe qeveria nuk mund të marrë asnjë vendim, me të cilin parakalon kompetencat e Presidentit të Republikës. Ndaj vendimi u mbajt dhe nuk mund të zbardhej se, në rast se Presidenti nuk do ta dekretonte, vendimi mund të bëhej i paqenë. Kjo është arsyeja. Nuk ka asnjë arsye për të fshehur asgjë. Tani vij tek çështja. Të nderuar qytetare e qytetarë, e vërteta është se ajo që quhet Shtëpia Qendrore e Ushtrisë të paktën prej 12 vjetësh ka humbur çdo lloj funksioni qendror. Ajo është shndërruar në shtëpinë e dasmave dhe ceremonive mortore dhe kjo është evidente për çdo njeri që ka pasur rastin të kalojë afër saj. Edhe në rast se aty ka pasur aktivitet, ka pasur dasma apo ceremoni mortore”, u shpreh Berisha. Ai theksoi se aty punojnë 100 punonjës civilë që merren me filmin dhe disa aktivitete, por duke parë se kjo shtëpi kishte humbur të gjitha funksionet dhe nuk adaptohej dot për funksione të reja, investoi 140 milionë lekë dhe ka kontraktuar për rikonstruksionin e saj një nga arkitektët më të mëdhenj të botës që ka rikonstruktuar muzeun e peshave në Paris. Sipas tij, ata që dolën në protestë, dolën në shkelje të statusit. “Zoti ministër, është mirë të merrni mediat dhe të shohin punimet që po bëhen, të shohin si po ndërtohet një nga facilitetet më moderne që ekziston në Tiranë, me të gjitha llojet e sallave, të gjitha lehtësitë dhe funksionet, përveç nostalgjisë së Petrit Dumes. Gjërat duhet t’i themi siç janë. Përveç kësaj, po në këtë funksion, me investim të veçantë është ndërtuar hoteli i posaçëm për ushtarakët, të cilët e meritojnë plotësisht. Po ashtu, me një investim prej 1.2 milionë dollarë ose 120 milionë lekë është ndërtuar me ndihmën e Institutit Italian të Arkitekturës Ushtarake, muzeu i ushtrisë, një nga muzetë më të bukura të vendit, i konceptuar nga artistët tanë më të mirë. Unë i dëgjoj ata dhe absolutisht, zoti ministër, ata kanë të drejtë. Dolën më në protestë në shkelje të statusit, një nga një do të humbasin statusin. Ata marrin një pension të veçantë, sepse kanë një status. Më thonë se ka kënduar Vaçe Zela, le të vendosim një pllakë aty, apo Gaqo Avrazi, njeri i nderuar. Atëherë hajde t’i nderojmë me një pllakë. Por neve nuk na duhen ahengjet që bënte Petrit Dume dhe Hito Çako. E mbyll, duke i thënë zotit Rama se në atë ciu-ciun e djeshëm ke treguar të gjithë moralin e shpëlarë që ke si njeri. Selia e Partisë Socialiste ka një hapësirë dy herë e gjysmë më shumë sesa selia e Partisë Demokratike dhe askush nuk e ka vënë kurrë në diskutim. Ai qëndrim ishte një qëndrim i hapur armiqësor ndaj forcës kundërshtare, por vetë fjalori ishte gjëja më e denjë për piktorin. Fjalori ishin ngjyrat e tij”- deklaroi kryeministri.