E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryqi, puthjet dhe përqafimet Maradona show vazhdon...

Me dy orë të njëjta, vath diamanti në vesh, kryqin në duart e mbushura plot me unaza, kostumin ngjyrë gri, kravata e zezë dhe lëvizjet karakteristike: ky është Maradona që na rezervon spektakël në çdo ndeshje ku luan Argjentina e tij

Me dy orë të njëjta, vath diamanti në vesh, kryqin në duart e mbushura plot me unaza, kostumin ngjyrë gri, kravata e zezë dhe lëvizjet karakteristike: ky është Maradona që na rezervon spektakël në çdo ndeshje ku luan Argjentina e tij. Por, edhe pas ndeshjeve kur bën batuta me gazetarët dhe paraqitet në konferencë për shtyp me syze dielli, ai është një nga trajnerët që po bën më shumë përshtypje këtë botëror, duke na lënë të gjithëve me gojë hapur. Nëse Kapelo, Domenek, apo Lipi po hasin probleme me komunikimin me lojtarët dhe mbajtjen e grupit të bashkuar, Maradona nuk e llogarit fare këtë problem. Ai i puth të gjithë si fëmijë para se të futen në fushë, ndërsa kur dalin prej saj, puth kryqin që mban në pulsin e dorës së djathtë dhe i përjeton ndeshjet më shumë se lojtarët brenda fushës. Katolik dhe besimtar, trajneri i Argjentinës, Armando Diego Maradona, e di mirë çdo të thotë të besosh, pasi më shumë se të gjithë duket se e ka zbritur vërtet Zotin në fushë. Bëhet fjalë për Botërorin e Meksikës në vitin 1986. Pasi shënoi një gol me dorë kundër Anglisë në finale, tha: "Ishte dora e Zotit". Nuk ulet 90 minuta, bën shaka dhe batuta, mërzitet me trajnerët dhe gëzohet pa masë kur lojtarët që ka zgjedhur shënojnë. Ndoshta dashuria dhe besimi po i bën mirë në këtë botëror ku ai debuton si trajner, por nuk harron të na dhurojë spektakël kur topi del jashtë vijës anësore. Nis të bëjë driblime si në kohët e tij të ndritura “djaloshi i artë” i Argjentinës. Madje u kërkon të gjithëve t’i kërkojnë falje Argjentinës së tij që e kishin kritikuar aq shumë në kohën e kualifikimeve për në botëror. “Selesion” i tij mund ta fitojë këtë kupë bote dhe nëse kjo ndodh “kam për t’i puthur të gjithë, madje edhe Pelen”, ka deklaruar ai. Kur e pyesin për këtë lloj afrimiteti me lojtarët, ai përgjigjet: “Mos u bëni merak, nuk jam homoseksual. Jam i fejuar, madje e kam shumë bukuroshe vajzën që kam në krah. E bëj sepse i dua vërtet shumë”. Problemet me shëndetin duken larg. Që pas tërheqjes së tij zyrtare nga futbolli, në vitin 1997, Diego u përball me shumë beteja që lidheshin me shëndetin e tij: në fakt, që pas finales së Kupës së Botës në vitin 1990, ai filloi luftën kundër varësisë nga droga, duke u kuruar në disa klinika në Zvicër, Itali dhe Kubë. Jeta e shfrenuar në Itali e kishte shtyrë shpeshherë futbollistin e madh që të dorëzohej në duart e mjekëve, për të kaluar të gjitha problemet me shëndetin. Por edhe në Argjentinë situata u përsërit. Diego dilte dhe hynte nga klinikat herë pas here. Varësia ndaj drogës dhe alkoolit po e çonte drejt fundit një nga kampionët më të mëdhenj të të gjitha kohërave në futboll. Por këto janë probleme që i përkasin të kaluarës. Tani Diego qan dhe gëzon, sepse ndoshta e ka kuptuar që Argjentina e tij mund të shkojë shumë larg në këtë botëror të pushtuar nga frika dhe pasiguria. Por kur në skuadër ke kampionë të mëdhenj si Messi e Tevez, gjithçka është e mundur. Talenti dhe fantazia nuk gjenden kollaj sot në tregun e futbollit dhe Argjentina ka fatin që i ka me shumicë. Kësaj skuadre i mungon vetëm frymëzimi hyjnor i Diegos futbollist. Nëse do të arrinte të fitonte botërorin edhe si trajner, do të kalonte edhe mitin Pele. Dhe Maradona mund t’ia dalë mbanë. Imagjinoni se ç’mund të ndodhë nëse Argjentina e tij çon në shtëpi këtë kupë bote. Mendojeni vetëm për pak çaste reagimin e tij. Me siguri që do lëshojë deklarata, që ashtu si emri i tij, do të qëndrojnë gjatë në historinë e futbollit botëror. Sepse Diego ka qenë gjithmonë një personazh që ka prodhuar vetëm polemika.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›