E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parakonceptet e kalcifikuara

... ato që njohim përgjysmë (!) Kur informacioni është i dyshimtë, parakonceptet kanë rëndësi

Parakoncepti ynë prin mënyrën e perceptimit dhe interpretimit të informacionit, duke u nisur nga fakti se ky ndikon në gjykimin shoqëror, që, nga ana e tij, nuk arrin të kuptojë dot efektin që krijon. Psikologët socialë kanë treguar qartë, përmes eksperimenteve, se sa ndikon paragjykimi mbi perceptimin dhe interpretimin e informacionit nga njerëzit. Ose duke endur në mendjet njerëzore gjykimin pasi është dhënë informacioni, në këtë rast si priret kujtesa dhe mendimet. Përfundimi është i qartë: “Ne njerëzit nuk i përgjigjemi realitetit siç është, por ashtu siç e ndërtojmë ne.”

Po qe se ne e parandërtojmë realitetin me anë të paragjykimeve tona, është e qartë se këto janë parakoncepte të tmerrshme, të kalcifikuara, që janë stërkëmbësha gjigantë për qëndrimet tona, për gjykimet dhe mendimet që do të shfaqim. Kjo ndodh rëndom në jetën e përditshme. Paragjykimi i rastit mund të jetë se fajtor është dikush që s’më lejon të ec përpara, se mendimet e tjerra nga një parti politike janë të drejta dhe askush nuk mund ta mohojë këtë, se mendimet që shkruan ky publicist, kritik, a shkrimtar janë të vërtetat e fundit dhe pikë. Po menduam kështu dihet që kemi ecur me parakoncepte të gatshme, me parafabrikate, me paragjykime. Ne endim në buzë fjalët që mendojmë, por ato mund të jenë të stisura edhe nga modeli i gatshëm që admirojmë dhe këto klonime fjalësh na çojnë në mendime të kopjuara, hije, mendime të gatshme që s’mund t’i kundërshtojë askush. Kështu po ndodh te ne me gatishmërinë e gjykimeve të parathëna dhe me “argumentet” e dëgjuara disa herë. Po qe se dikush (një analist si Artan Hoxha, për shembull) jepte idenë se problemi i kutive mund të zgjidhej fare mirë me anë të ankimimit në Gjykatën Kushtetuese, askush nuk ia vinte veshin dhe të gjithë e quanin paragjykues të kërkesave të PS. I tillë mund të jetë edhe paragjykimi ndaj parathënieve të një analisti a politikani të majtë. Kjo mund të ketë të vërteta, por gjykim të shëndoshë mbi gjendjen nuk prodhoi dot, sepse informacioni dukej gjithnjë i dyshimtë dhe në raste të tilla merrnin rëndësi parakonceptimet. Perceptimet dhe interpretimet tona varen nga paragjykimi, nga modelet e gatshme, nga ato që psikologjia sociale i quan “Parakoncepte të kalcifikuara”, të ngrira, bajate dhe vetëm penguese. Në këtë rast, efektet e paragjykimit dhe të pritjes janë një ushqim standard, që mund të tingëllojë bukur me frazën e Ralf Ualdo Emerson “Ashtu siç jam, ashtu shoh”. A vini re ndonjë gjë të gabuar këtu? Jo, sepse është një situatë e zakonshme. Socialpsikologu Riçard Nisbet (2006) shkruan se efektet e parakonceptimit të ngrirë sajojnë hipotezën e gabuar, e mbështesin atë, që kjo të ketë pasoja dramatike. Kështu ndodhi me luftërat e fundit në Lindjen e Mesme. Një gjë e tillë ka të bëjë me mënyrën e perceptimit të informacioneve dhe është e vërtetë për perceptimet shoqërore. Kështu, të thuash se Sali Berisha është një Kryeministër shumë i mirë i Shqipërisë është një e vërtetë e madhe për një simpatizant të flaktë dhe një prirje mjaft e gabuar për dikë që e sheh me përçmim. Në këtë rast ka rëndësi parakoncepti i kalcifikuar, sepse informacioni shoqëror është bërë objekt i shumë interpretimeve. Admiruesit e sportit mendojnë se arbitri mban anën e skuadrës kundërshtare. Ose njerëzit me mosmarrëveshje i shohin ndërmjetësit e paanshëm si të prirur kundër tyre. Në përgjithësi, njerëzit janë më pak kritikë ndaj informacionit që mbështet përfundimin e tyre të paramenduar ose të parapëlqyer. Mos ndoshta kjo është arsyeja që informacioni i dyshimtë është thjesht benzinë për konfliktet politike, për shembull? Debatet televizive edhe te ne i kanë treguar qartë këto ide. Parakoncepti, sidomos i kalcifikuar, lëkund këdo. Sepse ka një realitet të ngarkuar ose të ndezur përjashta, i cili shihet përmes lenteve të bindjeve të secilit, sipas qëndrimeve dhe vlerave tona. Kjo ka të bëjë me rëndësinë e bindjeve si diçka e justifikueshme. Kështu ndodh edhe me parakonceptet e standardeve të përditshme, duke justifikuar pëlqimet ose mospëlqimet. Por, siç thotë Shekspiri i madh “gabimi i syve tanë drejton mendjen tonë dhe ajo që drejtohet nga gabimi është gabim!” Sepse i bie që ne dëgjojmë dhe kuptojmë vetëm atë që njohim përgjysmë. Edhe parakonceptet emocionale janë penguese, sepse ka një realitet të caktuar jashtë nesh, veçse kuptimi i tij dhe qëndrimi emocional ndaj tij ndërtohet brenda mendjes sonë. Pikërisht kjo dukuri i komplikon gjërat e qarta e të kapshme për çdo njeri. është shumë e vështirë t’i heqësh vlerën një mashtrimi, pasi individi krijon bindjen se ka diçka racionale në të. Përpiquni të vendosni një mashtrim në mendjen e njerëzve dhe më pas përpiquni ta nxirrini atë si të pavlerë. Verifikimi bëhet jashtëzakonisht shpejt. Mjafton të sillni në kujtesën tuaj historinë e famshme të kutive...

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›