Mbeturinat spitalore, në kazanë bashkë me mbetjet ushqimore
Shumica e materialeve spitalore, dashur apo pa dashur hidhen në kazanët e mbeturinave, ashtu si lëkurat e bostanit ose pjeprit në sezonin e verës. Ky fenomen nuk është masiv, të paktën jo për qendrat spitalore të mëdha, por për laboratorë apo klinika mjekësore private, që nuk disponojnë hapësira apo infrastrukturë të nevojshme për djegien e plehrave, mbetjet dhe mbeturinat transportohen në kazanët më pranë institucionit përkatës.
Por jo vetëm kaq, edhe spitalet e mëdha madje edhe qendrat spitalore universitare, kanë probleme të mprehta për sa u përket seleksionimit të mbetjeve, djegies, remonteve të djegësit të mbeturinave, përdorimit të teknologjisë apo lidhur me politikat përmirësuese për këtë shërbim të rëndësishëm jo vetëm për spitalet, jo vetëm për mjedisin, por edhe për shëndetin e gjithsecilit prej nesh, në mënyrë të veçantë fëmijëve.
Nisur nga problematika e krijuar, nga ankesat e herëpashershme dhe kushtet që kërkon koha dhe teknologjia në vitin 2010, Ministria e Mjedisit dhe ajo e Shëndetësisë, kanë zhvilluar një takim nga ku kanë rënë dakord për bashkëpunim dhe punë intensive lidhur me përmirësimin e gjendjes dhe vendosjen e mekanizmave të nevojshëm ligjor apo teknik. Sipas specialistëve të shëndetësisë, trajtimi jo i duhur i këtyre mbetjeve sjell rritje të infeksioneve intraspitalore. Dhe ky është një problem që ndeshet jo vetëm te ne, por në të gjithë botën mjekësore. Këto infeksione spitalore rrisin në mënyrë proporcionale kostot spitalore. “Paketa ligjore e cila duhet të ketë pjesë të veçanta dhe për sa i takon trajtimit të mbeturinave spitalore. Detyra jonë është të vendosim standarde dhe të kërkojmë zbatimin e tyre”, theksoi ministri i Shëndetësisë, Petrit Vaisli, gjatë takimit.
“Jemi të gjithë të vetëdijshëm për situatën aktuale të menaxhimit të mangët e jashtë standardeve të kohës, të mbetjeve e veçanërisht të mbetjeve spitalore, te cilat për vetë specifiken e tyre paraqesin rrezikshmëri të lartë për jetën dhe shëndetin tonë dhe të fëmijëve tanë”, deklaroi ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu. Sipas tij, depozitimi i mbetjeve në vende të hapura dhe të përbashkëta me pjesën tjetër të mbetjeve urbane është një praktikë tejet e rrezikshme, e cila e shtrin ndotjen tej atij rrezikut eminent e të dukshëm. Kjo pasi përçohet më tej në kohë dhe hapësirë, duke shkaktuar ndotje të tokës, ujërave nëntokësore, sipërfaqësore dhe ajrit.
Në vitin 2007 është hartuar një rregullore e përbashkët, “Për administrimin e mbetjeve spitalore” e dy ministrive të Mjedisit dhe të Shëndetësisë, por që për fat të keq nuk u zbatua plotësisht si nga gjeneruesit e mbetjeve, ashtu edhe nga autoritetet e inspektimit. Nga kontrollet e fundit, të përbashkëta, të inspektorateve të mjedisit me drejtoritë e shëndetit publik, janë konstatuar një sërë problemesh, për të cilat siç u tha në takimin e djeshëm, të dyja ministritë janë duke punuar, në mënyrë që të hartojnë kuadrin e nevojshëm ligjor dhe implementues, për gjetjen e rrugëve dhe instrumenteve që do të japin zgjidhjet e duhura. Ajo çka vihet re, sipas analizës që u referua nga Ministria e Mjedisit, është se në përgjithësi nuk ekzistojnë inceneratorët ose metoda të tjera të përcaktuara me ligj për trajtimin e mbetjeve spitalore. Edhe në ato raste, kur ka incenerator, ato janë jashtë kushteve teknike. Nuk është bërë pajisja me leje mjedisore dhe nuk është bërë mirëmbajtja periodike e tyre. Kjo çon në raste të patolerueshme të djegies së tyre në gjendje të lirë, pasi emetimi i gazrave që çlirohen është me pasoja katastrofike për shëndetin.
#