Krzysztof Zanussi: italianët xhelozë, që “u vodhët” Coppola-n
“Një vit më parë erdha të merrja ‘Gladiatorin e Artë’ dhe nuk e mendoja se do të vija sërish në Tiranë. Por ju ia dolët, të më sillnit”, kështu u shpreh në çelje të edicionit të katërt të Festivalit të Filmit në Durrës i ftuari i nderit, regjisori i mirënjohur polak Krzysztof Zanussi. E në fakt, në një takim me median gjatë ditës së djeshme në Durrës, ai veçoi dashurinë e mikpritjen që ka ndjerë edhe këtë herë në Durrës, ku shoqërohej nga bashkëshortja e tij. Në rreshtat e mëposhtëm Zanussi përmend fatin e madh që ka ky Festival që pret të madhin Coppola dhe që siç komenton me humor “keni bërë xheloz italianët”, ndërsa zbulon edhe projektin e tij aktual, një film të ri që si tematikë ka shoqërinë feministe me të mirat dhe të këqijat e saj… Gjatë qëndrimit në Durrës, ka marrë pjesë në meshën e ditës së diel në kishë. Si një besimtar kristian dhe njohës i mirë i feve në botë, ai diskuton rreth pyetjeve ekzistenciale që vazhdojnë të ekzistojnë në botën moderne dhe afrimin te Zoti të Shqiptarëve pas rënies së diktaturës… Përsa i përket punës, përmes pak fjalive ai ka dhënë një mesazh të madh për çdo koleg dhe artist të ri që beson në kinematografinë, “zanati ynë është si i një kirurgu, nëse nuk punon çdo ditë, ai harrohet”!
Zoti Zanussi, cilat janë përshtypjet tuaja për këtë edicion të Festivalit të Filmit në Durrës?
Festivale filmi ndërkombëtarë realizohen mjaft në botë, në forma nga më të larmishmet dhe normalisht që i shërbejnë formësimit të kinemasë globale. Dhe bëjnë që kinemaja të avancojë në vende të ndryshme dhe për këtë motiv jam mjaft entuziast për Festivalin e Filmit në Durrës, duke u nisur që nga drejtoresha artistike e saj, një person kaq i afeksionuar ndaj kinemasë dhe që ia arrin të ftojë kaq shumë persona dhe me iniciativën e saj personale. Shtoi kësaj dhe gjithë personat përreth që e përkrahin, ia arrin kësaj nismeje ta vërë në jetë. Ardhja e Coppola-s është një shans i madh. Unë isha në Itali pak ditë më parë dhe nuk e di nëse jeni në dijeni, por atje ka pasur mjaft popullaritet martesa e vajzës së tij Silvia dhe ju keni qenë të zotët për t’i rrëmbyer për pak ditë këtë vëmendjen Italisë dhe jo vetëm e ky është një sukses, pasi nuk është aspak e lehtë në këto kohë. Mendoj që dashuria, mikpritja juaj janë argumente mjaft të forta të vendit tuaj për ta afruar këdo. Unë sot dërgova disa kartolina nga Shqipëria disa miqve të mi në Poloni dhe vura re që kishte një mirësjellje te njerëzit, që më bëri mjaft përshtypje. Nuk e di nëse më respektuan nga veshja dhe kollarja ime, në një ditë të nxehtë si kjo dhe menduan se jam një i Festivalit, por gjithsesi unë u ndjeva i respektuar dhe i përkëdhelur.
Zoti Zanussi, cilat janë planet tuaja të ardhshme?
Unë jam i vjetër dhe siç e dini pleqtë kanë pak kohë, prandaj u duhet të punojnë edhe më shumë. Të rinjtë kanë kohë, kanë durim, punojnë me kompjuter, ne të vjetrit shkruajmë ende me stilolaps. Unë punoj thuajse pa pushuar fare, pasi nëse nuk bëj film nëse nuk bëj televizion, bëj teatër. Teatri është një mënyrë e mirë për të vënë në jetë këtë zanat dhe zanati i regjisorit është si zanati i një pianisti apo një kirurgu, duhet të praktikohet thuajse çdo ditë. Mjafton një ose dy vjet pushim dhe kur kthehesh në sheshxhirim ti nuk di ku të vendosësh kamerën. Për këtë punoj në teatër në shumë vende, përveçse në Poloni, punoj teatër në Itali, Gjermani, Rusi dhe kështu e zë këtë kohë që më ka mbetur. Për kinemanë po përgatis tashmë një film me metrazh të gjatë që quhet “Trupi i Alienit”, dhe që ka si tematikë mbrojtjen e grave nga feminizmi. Pasi mendoj se feminizmi është një rrezik i madh për gratë, dhe përmes këtij filmi nxjerr një konkluzion që ka feminizëm të mirë ka edhe feminizëm të keq. Është si puna e kolesterolit, i mirë dhe ai i keq. Ai i keqi kërkon të përjashtojë, fshijë çdo diferencë mes grave dhe burrave dhe rrëmben këta demonë të këqij, të konkurrencës në karrierë mes burrave e grave, që po i shkatërron. Ndryshe, feminizmi që mbron të drejtat e grave është një feminizëm i ligjshëm dhe kjo është historia që po ndodh nëpër Itali, në Rusi, te të rinjtë në gjithë botën dhe kam një të ri që udhëton në shoqërinë ndërkombëtare dhe këto gratë e karrierës po mundohen ta shkatërrojnë, sepse është një djalë i zotë dhe i pafajshëm. Është si një luftë burrash kundër një gruaje të pafajshme, ky është projekti im i ardhshëm, që shpresoj ta realizoj së shpejti dhe për vetë temën që mendoj se është shumë aktuale. Dhe është edhe një çështje tjetër që ka të bëjë me besimin, me dimensionin e një marrëdhënieje metafizike, që besoj se nuk ka kulturë që nuk e diskuton. Dhe këto janë vlerat e mëdha që duhet të rijehojnë në gjithë vendet që kalojnë një trazicion. Mjaft persona sot mendojnë në teoritë moderne se ekziston një fondamentalizëm modern, jo një shoqëri e hapur ndaj së panjohurës, ndaj misterit, këtë e dinë mirë realizuesit e mëdhenj të filmave në gjithë botën dhe shumë e besojnë dhe pranojnë këtë sfidë të misterit. Është shumë e rrezikshme nëse kultura rrëshqet dhe njerëzit besojnë më shumë te gjëja materiale se ajo hyjnore. E drejta e meshkujve është ajo që ngre sytë e sheh lart nga yjet dhe këtu bëhen pyetje ekzistenciale nga kemi ardhur, ku do të shkojmë, ku është fundi i ekzistencës sonë, këto terma që i përkasin gjithë botës. Ne jetojmë nga një botë që mbizotërohet nga arti popullor që ka vlerat e veta.
Të dielën keni ndjekur edhe një meshë në kishë në Durrës, çfarë do të veçonit?
Unë e di që Shqipëria ka pasur një pozicionim të mirë kristian dhe pak pas rënies së diktaturës populli iu kthye besimit. Dje ndjeva se kisha ishte plot besimtarë për të cilët kam afeksion dhe respekt, dhe vura re që e kishin marrë besimin seriozisht. Sepse nuk m’u dukën njerëz që shkojnë në kishë vetëm kur ka një pagëzim, një martesë apo një funeral, këto gjëra do ta bënin besim të pavlerë, ky do të ishte një besim jo vizionar. Unë njoh mjaft fe dhe madje edhe islamin në versionin iranian, dhe misticizmin iranian, por unë vlerësoj besimin jo ritet që bëjnë njerëzit e feve të ndryshme.
Firma e Zanussi-t në Bulevardin e Artit
Pas mesditës Krzysztof Zanussi dhe bashkëshortja e tij u nisën drejt Rinasit, për t’u kthyer në vendlindjen e tyre. Por ama i la një shenjë Durrësit. Pikërisht firmën e tij. Zanussi ka qenë i dyti që ka firmosur pllakën që do të bëhet pjesë e Bulevardit të Artit, pas Jan Harlan, producentit me famë botërore që e nënshkroi dy ditë më parë. Ky rit që është edhe një risi e këtij edicioni ka vazhduar edhe pasditen e djeshme me emra të tjerë. Kështu ka lënë firmën e tij kryetari i Jurisë Ballkanike, regjisori çek Jiri Menzel dhe aktorja Tinka Kurti. Nesër në mbrëmje do të jetë ikona e kinematografisë italiane, Claudia Cardinale që do të firmosë pllakatën e saj, cikël që do të mbyllet më tej nga regjisori botëror Francis Ford Coppola.