Ksamili gjallërohet gjatë verës por fle në dimër

Ksamili është një qytezë e vogël bregdetare në jug të Shqipërisë. Ndodhet në jug të qytetit të Sarandës në dalje të rrugës për në Parkun Kombëtar Butrinti. Është një nga vendpushimet bregdetarë më të frekuentuar, nga turistët vendas e të huaj. Plazhi është i vogël, me ujë të pastër dhe me ishuj të vegjël. Ka një numër hotelesh të konsiderueshëm dhe shtëpi për vizitorë, disa prej të cilave qëndrojnë të hapura gjatë gjithë vitit e jo vetëm gjatë verës. Ksamili është një qytezë e ndërtuar nga banorë të ardhur këtu nëpër kohë të ndryshme. Dikur merreshin me bujqësi ndërsa tani e vetmja mundësi për ta, është turizmi!
18 km në jug të Sarandës, pas disa minutash gjendesh përballë një pamjeje mahnitëse të detit ngjyrë gurkali dhe ishujve të vegjël shkëmborë me një bimësi të egër e të dendur. Janë pikërisht ishujt e tij që e bëjnë Ksamilin aq të veçantë e të dëshirueshëm. Ksamili është i përshtatshëm për turizmin familjar kur gjatë stinës së verës, qindra turistë marrin me qera dhoma dhe apartamente për pushimet e tyre.
“Ksamili është formuar si qytezë në vitin 1974, dyndjet e para erdhen nga Korça, pastaj erdhen edhe banorë nga vende të tjerë.Më të shumtit punonin në agrume,në ullinjë,portokalle dhe mandarina dhe ecte një jetë normale.Pjesa më e madhe e banorëve që ishin këtu janë larguar në mërgim,ndërsa të tjerët që kanë ngelur këtu,merren vetëm me turizmin.Turizmi tani është e vetmja perspektiv për Ksamilin.Ka edhe nga ata që punojnë në ndërtim por janë shumë të paktë .Gjatë verës Ksamili prej vitesh mbushet me vizitorë të shumtë jo vetëm vendas por edhe të huaj.Ata ikin dhe rikthehen çdo vit këtu pasi ju pëlqen vendi por edhe mikpritja e banorëve ” pohojnë qytetarët
Pjesë e kësaj panoramë që nuk e has në asnjë plazh tjetër në vijën bregdetare të Shqipërisë, është edhe ishulli i Korfuzit përballë.Në Ksamil kohën e lirë veç plazhit, mund t’a kalosh duke ecur përgjatë një shëtitoreje shumë karakteristike të ndërtuar vitet e fundit, që gjarpëron paralel me bregdetin, në anën perëndimore të qytezës.
Veç shqiptarëve nga të gjithë trojet, Ksamili çdo vit e më tepër po konsiderohet një zbulim për shumë të huaj. Autobusët me turistë këtyre anëve, më së shumti i përkasin Butrintit si destinacion, por ata po parkojnë së fundi dhe në plazhet e Ksamilit. Çekë, rusë, gjermanë e polakë po bëhen plazhistë të zakonshëm të Ksamilit.