E Diel, 1 Nëntor 2026

“Kthesa” hungareze, Nurellari: Orban shihet si “Kali i Trojës” i Rusisë në BE

Analisti Adri Nurellari ka komentuar zgjedhjet në Hungari, ku Viktor Orban humbi përballë Peter Magyar. Në emisionin “3D” nga Albana Dudushi në RTSH, ai u ndal te roli i Orban dhe pozicionimet e tij në raport me aleatët perëndimorë.

Sipas Nurellarit, Orban ka qenë ndër të paktët liderë europianë që ka mbështetur hapur SHBA-në në qëndrimin ndaj konfliktit me Iranin, në një kohë kur shumica e vendeve të Bashkimi Evropian kanë preferuar një qasje më të rezervuar.

“Orban ishte zëri i vetëm pro SHBA në këtë situatë dhe mori pjesë edhe në nisma ndërkombëtare për paqen, në një kohë kur partnerët e tjerë europianë zgjodhën të qëndrojnë më të tërhequr,” u shpreh ai.

Analisti theksoi se lideri hungarez është cilësuar shpesh si “Kali i Trojës” i Rusisë brenda BE-së, për shkak të qëndrimeve të tij që shpesh bien ndesh me linjën e përbashkët të unionit.

“Orban është cilësuar si “kali i Trojës” i Rusisë brenda BE-së dhe vetëm pak javë më parë dolën edhe skandalet e ministrit të jashtëm, i cili ka qenë dekonspirues dhe ka marrë udhëzime, dhe ka të bëjë me një lloj përmbysjeje të rendit liberal në përgjithësi.

Orban është rasti klasik i konsolidimit të pushtetit në një dorë dhe i një demokracie joliberale që po shtrin kontrollin e vet në të gjitha sferat. Në këtë aspekt, kjo lidhet edhe me një lloj sinjali të rrëshqitjes së demokracisë dhe kjo ka qenë në vëmendjen ndërkombëtare, duke u implikuar edhe me Orban”, tha analisti.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›