E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Kthimi" i Zogut në vendlindje përçan legalistët

Duket se "kthimi" i ishmbretit,
Zogu i Parë, në
vendlindjen e tij, nuk do
jetë e lehtë, pavarësisht diskutimeve
gati njëvjeçare. Fillimisht debatet
për "kthimin" e Ahmet Zogut
në Burrel, nisën në këshillin bashkiak
të qytetit, ku të djathtët në
shumicë, kërkuan spostimin e
bustit të Heroit Kombëtar, Gjergj
Kastriotit Skënderbeut, për të vendosur
në vend të tij atë të Mbretit.
Kjo solli reagimin e të majtëve dhe
intelektualëve matjanë dhe të
djathtët u detyruan të tërhiqen nga
vendimi i marrë prej tyre. Aktualisht,
duket se debatet janë rikthyer
midis vetë të djathtëve, të cilët
kundërshtojnë vendimin e marrë
po prej tyre për vendosjen e shtatores
së mbretit në sheshin
"Demokracia". Shtatorja e ishmbretit,
realizuar nga një studio
private në Tiranë, sponsorizuar nga
përkrahës dhe biznesmenë të
shumtë matjanë, tashmë ka përfunduar
dhe pritet të vendoset në
vendin e caktuar për të nga këshilli
bashkiak. Madje, legalistët kanë
bërë publike edhe përmasat e
kësaj shtatoreje që do jetë 5 metra
e lartë, ku paraqitet Mbreti në këmbë,
veshur me rroba ushtarake dhe
shpatë në dorë. Mirëpo, siç duket,
sherret për shtatoren, nuk do të
rreshtin lehtë, pasi fushata elektorale
ka rindezur debatet për vendosjen
e saj. Demokratët nuk ndihen
mirë, pasi në sheshin "Demokracia",
ku është rënë dakord për
vendosjen e shtatores, ata organizojnë
tubimet e tyre elektorale dhe
prania e ish-mbretit aty, ua prish disi
shijen këtyre takimeve. Burime nga
dega lokale e PLL-së, sqarojnë se
para pak ditëve, është rënë dakord
vendosja e shtatores të bëhet pas
zgjedhjeve. Duket se kryelegalisti
Spahia, aktualisht zëvendësministër
i Kulturës, nuk ka dashur ta
politizojë vendosjen e shtatores,
duke rënë dakord kështu për shtyrjen
e afateve. Ndërkohë, të njëjtat
burime i japin ngjyrime politike kur
thonë se Kryeministri Berisha ka
kërkuar shtyrjen e montimit të shtatores
deri pas 28 qershorit, duke
premtuar se ai do të jetë prezent
në inaugurimin e saj. Por, shtyrja e
"kthimit" të ish-mbretit Ahmet
Zogu, nëse është pranuar nga
kryelegalisti Spahia dhe legalistët
e qytetit të Burrelit, nuk është
"përtypur" nga ata të Komunës
Lis. Ata shprehen se shtyrja është
një "kurth",i demokratëve, për ruajtjen
e votave të tyre, pasi PLL-ja
në Dibër e veçanërisht në Mat gëzon
shumë mbështetje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›