E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ankesa në komisariate për dëmtime të simboleve partiake

Incidentet e fushatës zgjedhore nuk kanë munguar edhe në Qarkun
e Fierit. Në të tre rrethet e qarkut Fier janë regjistruar incidente zgjedhore,
që fatmirësisht nuk kanë qenë me pasoja të rënda. Konfirmohet
se simbolet politike kanë qenë shkak i përplasjeve mes simpatizantëve
të forcave të ndryshme politike, por më tepër të PD dhe PS.
Burime zyrtare të policisë së Fierit, pohojnë për gazetën "Shqip" se janë
bërë ankesa të shumta prej shtabeve rajonale të partive politike. Zyrtarisht,
policia e Fierit deklaron se 10 raste janë regjistruar në rrethin e Fierit,
5 në rrethin e Lushnjës dhe dy në rrethin e Mallakastrës. "Ankesat e
kryera nuk kanë pasur për qëllim nisjen e procedimit penal, por ka qenë
thjesht kërkesë mbrojtjeje nga organet e policisë. Kemi të regjistruara
shqetësime që kanë ardhur nga degët lokale të PS-së, PD-së, si dhe
partive të tjera", shprehen për gazetën, në Drejtorisë së Policisë së Qarkut
të Fierit. Të njëjtat burime pohojnë se më së shumti ankesat kanë ardhur
nëpërmjet telefonit. "Drejtues lokalë të forcave politike, si dhe koordinatorët
e shtabeve elektorale, e kanë pasur më të lehtë kryerjen e ankesës
me një telefonatë drejtuar krerëve të policisë, me qëllim që situata të mos
sillte pështjellime dhe të agravohej", pohojnë zyrtarisht në Drejtorinë e
Policisë së qarkut. Mësohet se salla e komandës në të tre komisariatet e
Qarkut të Fierit, është në kontakt të vazhdueshëm me shtabet dhe me
selitë partiake. Ndërkohë, duke marrë shkak nga ngjarja e Durrësit, krerët
e degëve lokale të forcave të ndryshme politike kanë bërë thirrje për ruajtjen
e qetësisë, si dhe distancimin nga aktet vandale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›